Shpallet konkurs për dy pozita të reja të zëvendësguvernatorëve në Bankën Popullore të Maqedonisë së Veriut
Shkup, 14 korrik 2025 – Vetëm pak kohë pas emërimit të guvernatorit të ri të Bankës Popullore të RMV-së, është shpallur konkurs për përzgjedhjen e dy zëvendësguvernatorëve të rinj. Konkursi është publikuar në faqen zyrtare të bankës, përcjell INA.
Kandidatët duhet të jenë shtetas të Maqedonisë së Veriut, me reputacion të përshtatshëm dhe të kenë diplomë universitare (minimum 240 ECTS ose VII/1), si dhe përvojë profesionale ose akademike në ekonomi, financa, bankë apo drejtësi. Ndalohet pjesëmarrja e personave që janë në procedura falimentimi ose me ndalesa ligjore për ushtrim profesioni.
Kërkohet gjithashtu njohuri aktive e gjuhës angleze e dëshmuar me certifikata ndërkombëtare (p.sh. TOEFL, IELTS, FCE, APTIS) jo më të vjetra se 5 vjet.
Aplikimet duhet të përfshijnë biografi të shkurtër, dëshmi shtetësie, diplomë universitare dhe dokumente që vërtetojnë përmbushjen e kushteve ligjore dhe profesionale. Afati për aplikim është deri në fillim të muajit të ardhshëm, ndërsa përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet brenda 45 ditëve pas mbylljes së konkursit.
Aktualisht, zëvendësguvernatorë në BPRMV janë Dr. Fadil Bajrami, Mr. Emilija Nacevska dhe Mr. Ana Mitreska.