Një problem teknik ka goditur sot sistemin elektronik të Policisë së Maqedonisë së Veriut, duke ndikuar në funksionimin e kufijve në gjithë territorin e vendit.
Lajmi u bë i ditur nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, e cila konfirmoi se sistemi ka rënë në të gjitha pikat kufitare. Si pasojë, autoritetet maqedonase janë detyruar të pezullojnë përkohësisht hyrjen e automjeteve në shtet.
“Nga momenti i ndërprerjes së sistemit, kontrolli po bëhet në mënyrë manuale, ndërsa është rikthyer edhe kontrolli i dyfishtë,” thuhet në njoftim.
Raportohet për kolona të gjata automjetesh në disa pika kufitare të Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që autoritetet po punojnë për rikthimin e sistemit në funksion. Qendra ka premtuar se do të informojë në kohë reale për çdo ndryshim në situatë.(Insajderi.org)