Sot e shënojmë fillimin e një investimi të ri. Por më shumë se kaq, sot po vendosim edhe një themel të ri të besimit ekonomik. Sinjal i qartë se kur institucionet janë të përkushtuara, suksesi vjen në mënyrë të pashmangshme.
Kompania “Çagataj Kabllo” fillon me ndërtimin e një fabrike të re në kuadër të ZZHTI Shkup 1. Bëhet fjalë për investim me vlerë prej 6 milionë eurosh. Do të ndërtohet një objekt me sipërfaqe prej 10.000 metra katrorë dhe do të hapen deri në 200 vende të reja pune, ose gjithsej, siç theksoi edhe kryetari i Bordit Drejtues, do të arrijmë në numrin prej 500 vende pune të cilët do të prodhojnë në kapacitetet prodhuese të kompanisë “Çagataj Kabllo”.
Do të zbatohen teknologji të reja, do të zgjerohet kapaciteti dhe do të krijohet vlerë e ardhshme që do të mbetet këtu – në atdheun tonë.
Ky është vetëm një nga shembujt e shumtë se si krijohet rritja ekonomike. Jo me teori, por me objekte konkrete. Jo me parulla, por me vende të reja pune. Jo me fjalë, por me një sallë të re që po ndërtohet.
Çdo fillim i tillë nuk është i dobishëm vetëm për kompaninë. Ai është i dobishëm për komunitetin lokal, për ekonominë nacionale dhe për të ardhmen e çdo të riu që dëshiron të qëndrojë këtu.
Qëllimi ynë është ta bëjmë Maqedoninë një vend mundësish. Një vend ku puna shpërblehet. Një vend ku investimi ka kuptim. Një vend ku institucionet janë partnere të biznesit – jo pengesë, por mbështetje.
Pikërisht për këtë, nga ky vend dua të shpreh mirënjohje për drejtorin e Drejtorisë së Zonave Zhvillimore Teknologjike Industriale, Goce Dimovski. Me energjinë dhe vizionin e tij po hapen dyer të reja, po zhvillohen bisedime të reja dhe po krijohen mundësi të reja për investitorët e huaj dhe vendorë.
Rezultatet që kemi arritur tregojnë se si Qeveri kemi një drejtim të qartë ekonomik.
Prodhimi i Brendshëm Bruto në tremujorin e parë të këtij viti është rritur për 3.2 për qind, megjithëse shumë vende brenda BE-së ndodhen në recesion. Investimet e huaja direkte gjatë vitit të kaluar, 2024, arritën nivelin prej 1 miliard e 255 milionë eurosh. Eksporti, në pesë muajt e parë të këtij viti, është 3.15 për qind më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa prodhimi industrial, vetëm në muajin maj, shënon një rritje prej 9,4 për qind. Kjo do të thotë se në dy muajt e parë të tremujorit të dytë, prill dhe maj, deficiti tregtar është ulur për rreth 80 milionë dollarë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Këto janë tregues që flasin për më të rëndësishmen – se shteti është stabil, se ekonomia është aktive dhe se e ardhmja po ndërtohet sot.
Jam i vetëdijshëm që qytetarët përballen me vështirësi. Jam i vetëdijshëm që janë të nevojshme ndryshime të shpejta dhe rrënjësore. Pikërisht për këtë, çdo ditë, me gjithë energjinë që kemi, punojmë që këto ndryshime të ndodhin – në mënyrë reale, të vendosur dhe pa vonesë.
Kjo është një luftë që e bëjmë me zemër. Luftojmë për çdo punësim të ri. Luftojmë për çdo denar më shumë në ekonominë vendore. Luftojmë për çdo mundësi që mund të sjellë stabilitet dhe dinjitet për qytetarët.
Ne nuk presim investime – ne i kërkojmë, i mbështesim dhe i meritojmë.
Ne nuk flasim për mundësi, por i hapim ato.
Ne nuk bëjmë thirrje për ndryshime dhe realizojmë ato ndryshime.
Dita e sotme është edhe një konfirmim që po lëvizim përpara. Çdo objekt i tillë është një mesazh se kemi kapacitet, ka njerëz që dinë të punojnë dhe ka një Qeveri që di të njohë prioritetet e vërteta.
Do të vazhdojmë në të njëjtën rrugë – me energji, me përgjegjësi, me këmbëngulje.
Do të vazhdojmë të ndërtojmë themelet e ndryshimeve.
Sepse po vjen koha e Maqedonisë.
Dhe kjo kohë nuk është nesër. Kjo kohë është tani.