Një ekip nga Njësia për Mbrojtje Atomike, Biologjike dhe Kimike është angazhuar për mbledhjen e të dhënave me qëllim përcaktimin e cilësisë së ajrit si pasojë e djegies së mbeturinave në rajonin e Vizbegut, në Komunën e Shuto Orizares, njofton Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, përcjell TV21.
“Në përputhje me vendimin e presidentes Gordana Siljanovska-Davkova për përfshirjen e pjesëtarëve të Ushtrisë në shuarjen e zjarreve, si dhe me vendimin e Qeverisë për shpalljen e gjendjes së krizës për shkak të shtimit të zjarreve, Ushtria është aktivisht e angazhuar në operacionet për shuarjen e zjarreve në të gjithë territorin e vendit. Angazhimi vjen edhe si përgjigje ndaj kërkesave të Qendrës për Menaxhim me Kriza”, thonë nga Shtabi i Përgjithshëm.
Nga atje shtojnë se aktualisht, mbi 150 pjesëtarë të Ushtrisë janë të angazhuar në tri komuna: në Gjorçe Petrov janë të angazhuar mbi 60 persona, në Kriva Pallankë rreth 30 persona, ndërsa në fshatin Nikoliq të Dojranit mbi 50 persona.