Një zjarr i madh ka shpërthyer sot paradite në një deponi ilegale në lagjen Shuto Orizar të Shkupit, duke shkaktuar panik dhe shqetësim tek banorët e zonës. Flakët janë përhapur me shpejtësi, ndërsa tymi i dendur mbuloi një pjesë të madhe të lagjes.
Stand Up
“Momentalisht ndodhemi në Shuto Orizar të Shkupit ku flakët e zjarrit e kanë kapluar deponinë që ndodhet prapa meje duke krijuar re të dendura të tymit nga ku e ka kapluar të gjithë zonën përreth. Autoritetet ndodhen këtu dhe janë duke punuar për këtë, ndërsa banorët qëndrojnë të shqetësuar nga pasojat që mund të sjellë ky zjarr”.
Autoritetet thanë se ende nuk dihen shkaqet e zjarrit, Ndërkohë, zjarrfikësit janë në terren dhe po përpiqen ta lokalizojnë atë sa më parë. Krahas zjarrfikësve për shkak të përmasave të mëdha të flakëve ka qenë e domosdoshme edhe intervenimi nga ajri.
Kryetari i Komunës së Shuto Orizarit, Kurto Dudush, i cili erdhi në terren, tha se kanë kërkuar ndihmë nga Qendra e Menaxhimit të Krizave dhe Drejtoria e Mbrojtjes dhe Shpëtimit për shuarjen e zjarrit, ndërsa kanë asistuar edhe banorët lokal. Ai informoi se kompania ASD Metal Group kishte leje për të vepruar deri në shkurt të vitit 2025. I pyetur se a ka punuar sipas standardeve kompania e cila menaxhon me deponinë që u dogj, Dudush tha se, ajo ka marrë lejen nga Ministria e Ekologjisë.
Kurto Dudush, kryetari i Komunës së Shuto Orizarit
“E dimë vetëm se, Ministria e Mjedisit Jetësor i ka dhënë leje në vitin 2019, 2020 dhe leja ka pasur vlefshmëri deri në shkurt të vitit 2025, megjithatë, në nëntor të vitit 2024, me sa e dimë ne në komunë, kanë dorëzuar kërkesë të re, deri ku është kërkesa – nuk e dimë. Megjithatë, te ne kërkohet vetëm mendim për vazhdimin e lejes së tyre të punës në Ministrinë e Mjedisit Jetësor”.
Ndërkaq ky zjarr shkaktoi tensione tek të pranishmit. Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se është arrestuar pronari i vendit ku sot shpërtheu zjarri.
Ministria e Punëve të Brendshme
“Deri në këtë moment, një person është lënduar dhe është dërguar për ndihmë mjekësore. Për shkak të mosrespektimit të urdhrit të një zyrtari të autorizuar, është ndaluar A.N., pronari i subjektit juridik që menaxhon me deponinë”.
Ndërkaq deri më tani thuhet se ky zjarr nuk ka përfshirë prona private, shtëpi dhe njëkohësisht autoritetet thonë se po merren masa për zbardhjen e rastit.
Anida Murati /SHENJA/