Të paktën 161 persona ende rezultojnë të zhdukur në një qark të vetëm në Teksas katër ditë pas përmbytjeve vdekjeprurëse dhe shkatërruese që goditën pjesë të shtetit javën e kaluar, tha guvernatori Greg Abbott, teksa shpresat për të gjetur të mbijetuar gjallë po veniten.
Të zhdukurit në qarkun më të prekur, Kerr County, përfshijnë pesë kamperë dhe një këshilltar nga Kampi Mystic, një kamp veror i krishterë për vajza, i vendosur në brigjet e lumit Guadalupe.
Të paktën 109 persona kanë humbur jetën nga kjo katastrofë, përfshirë 94 vetëm në zonën e Kerrville, tha Abbott në një konferencë për media të martën.
Teksasi nuk është i vetëm. Edhe në New Mexico është shpallur gjendje emergjente për përmbytje të menjëhershme, me Shërbimin Kombëtar të Motit (NWS) që paralajmëroi për përmbytje intensive të martën mbrëma.
Në Teksas, përpjekjet e ethshme për kërkim dhe shpëtim po vazhdojnë, me Abbott që premtoi se ekipet e emergjencës “nuk do të ndalen derisa çdo person i zhdukur të gjendet”.
Abbott shtoi se ka shumë gjasa që në ditët në vijim numrit të të zhdukurve t’i shtohen edhe të tjerë, dhe u bëri thirrje qytetarëve të raportojnë çdo person që mendojnë se mungon.
Gjenerali Thomas Suelzer nga Garda Kombëtare e Teksasit tha se përpjekjet e kërkimit përfshijnë helikopterë Chinook dhe Black Hawk të pajisur me vinça shpëtimi.
Ai tha se në kërkime janë të angazhuar 13 helikopterë Black Hawk, përfshirë katër që kanë ardhur nga Arkansas. Shtoi gjithashtu se autoritetet po përdorin edhe drone të tipit reaper.
Përpjekjet e shpëtimit po bëhen në bashkëpunim me njësi të ndryshme, përfshirë agjentë të patrullës kufitare, FBI-së dhe Gardës Kombëtare.
Më shumë se 250 pjesëtarë të ekipeve të reagimit nga agjenci të ndryshme janë caktuar vetëm për zonën e Kerrville për të ndihmuar në kërkim dhe shpëtim.
Një nga vullnetarët e shpëtimit, me emrin Tim, i tha BBC-së se nuk ka parë kurrë një shkatërrim të kësaj shkalle më parë.
“Kam marrë pjesë në përmbytjet në pjesën lindore dhe juglindore të Teksasit, edhe në uragane, por kjo është një makth,” tha ai.
Një tjetër vullnetar shpëtimi, me emrin Justin, e krahasoi përpjekjen me “të kërkuarit një fije kashte në një grumbull kashte”.
“Ka një gjurmë të gjerë shkatërrimi për milje të tëra, dhe nuk ka mjaft qen gjurmues për të kaluar nëpër të gjitha ato,” i tha ai BBC-së.
“Është e vështirë të arrihet shumë prej tyre me makineri të rënda. Djemtë po përpiqen të hapin me vegla dhe me duar, por as që po arrijnë ta gërvishtin – jo për mungesë përpjekjeje.”