Edhe Milani mund të ketë së shpejti një Doue.
Nuk është Dezire, sulmuesi i cili masakroi Interin në finalen e Ligës së Kampioneve dhe po afirmohet edhe në Botërorin e Klubeve, por vëllai i tij, Guela Doue.
Anësori i djathtë i ditëlindjes 2002, është pjesë e Strasburgut dhe pas vetëm një sezoni në radhët e këtij klubi, është kthyer në një nga emrat më të lakuar në merkato. Masimiliano Alegri e ka piketuar futbollistin si një përforcim të mundshëm dhe Igli Tare është vënë në lëvizje për të siguruar firmën e tij.
“L’Equipe” raporton se Tare i ka bërë një ofertë zyrtare prej rreth 15 milionë eurosh klubit francez, për të cilin do të ishte një fitim kolosal duke llogaritur se e ka blerë vetëm një vit më parë nga Ren për 6,5 milionë euro duke firmosur me të një kontratë deri në vitin 2029. Djaloshi ka pasaportë të dyfishtë, të Bregut të Fildishtë dhe të Francës, ndaj nuk do të regjistrohej si ekstrakomunitar nëse transferohej te Milani.