Ramadan Ramadani
Pasi flas nga perspektiva qytetare dhe shoqërore e shqiptarëve të Maqedonisë ndiej nevojën që në fillim të depersonalizoj çështjen duke shpreh dy qëndrime personale mbi formimin e ndonjë subjekti të ri politik shqiptar në këtë vend tonin. E para është se unë në parim nuk jam kundër themelimit dhe artikulimit të iniciativave të reja politike qofshin ato edhe numër i madh për numrat e vogël të pjesës së mbetur të paemigruar të kombit këtu dhe e dyta se mendoj se ende ka hapësirë të mospërfaqësimit politik sidomos atij shqiptar në Maqedoninë e Veriut që mund të përfaqësohet dhe mbushet, e edhe nga iniciativa të reja politike.
Përskaj këtyre dy qëndrimeve mbetem kundër dy iniciativave të reja, një të paralajmëruar dhe një tani më të themeluar nga disa personalitete pjesmarrës në grupimet politike të mëparshme: Lëvizja “Arbëria”. Kryesisht sepse nga ajo që mësuam deri tani në opinion këtyre ju mungon shumë nga serioziteti, autenticiteti dhe përfshirja, si tendencë për përfaqësim.
Unë këtu nuk dua të pretendoj dije të nevojshme për atë se si bëhen iniciativa politike e as të përshfaq krejt mendimet e mia mbi këtë temë, por vetëm të trajtoj këto dy të fundit në bazë të këtyre tre principeve si ndodhi politike të denja për trajtim pasi nga tangojnë gjithë neve shqiptarëve qytetarë të Maqedonisë sepse flasin për shqiptari, uçk, arbëri e politikë. Emra këto që janë të krejt neve. Sa i përket seriozitetit, më saktësisht mungesës së seriozitetit elementar, vlen të ceket se një paralajmërim për formimin e një subjekti të ri politik u bë para një kohe vetëm nga një individ dhe vetëm në një paraqitje publike në një emision. Asgjë as para e as mbas asaj. Opinioni nuk mësoi asgjë më shumë rreth këtij paralajmërimi. Mbeti pezull fjala në hava e partia në atë emision! Mungesa e seriozitetit në atë rast shkoi deri në mungesë përgjegjësie elementare për fjalën e thënë në publik, pas së cilës në shoqëri normale nuk do kishte paraqitje publike të të nëjtit person asnjëherë. Ose së paku sa herë që do paraqiteshte do i kërkohej fillimisht të prononcohej dhe sqarohej për atë iniciativë dhe llaf të madh, të thënë paraprakisht! Pra, në shoqëri normale dhe sipas minimumi të kriterit të plotësuar për paraqitje publike autori gjithnjë kur të merrte të flasë fjalë të mëdha ose të vogla; UÇK, Veteranë, Shqiptari, qyteti, fshati, kombi ose autobusi; më së paku së pari do pyetej se çka u bë me atë fjalën e thënë për parti?! Këto tema krejt janë të mëdha dhe të rëndësishme dhe nuk guxojnë të mbeten në hava se diskreditojnë dhe i bëjnë dëm përfaqësimit politik dhe kombit në tërësi. Nuk thuhen vetëm sa për tu thënë, se fjala diku mbetet dhe ja thënësi evidentohet.
Serioziteti, përkushtimi dhe përgjegjësia munguan edhe te kjo iniciativa e paraqitur si veçmë të themeluar “Arbëria” ku përveç disa emravë të përveçëm dhe se do jetë lëvizje politike pa kryetar, opinioni nuk morri vesh asgjë më tepër për ndonjë temë, platformë, strukturë ose mënyrë të përfaqësimit politik! Aq sa askush aty nuk morri mundimin të legjitimojë nevojën e themelimit, legjitimimin konkret të nevojës për përfaqësim politik shqiptar. Kjo është një domosdoshmëri kur kemi të bëjmë me themelimin e një opcioni të ri. Dikush duhet të sqarojë se pse vulat, adresat, njerëzit dhe partitë e deritanishme nuk e kanë bërë këtë aq sa u desh ne të themelojmë një të re?! Si kështu pa u sqaruar konkret? Vetëm se vu mtek?
Në shoqëri dhe kombe normale këto janë gjëra që sqarohen. Nuk i ka bërë askush punët me kështu të mtekme dhe mule o burra?! Prandaj opinioni mandej i prit me tallje dhe neveritje se më mirë të ishin mbledh dhe të kishin hapur ndonjë pishinë në këtë vapë e nxehtë se sa kështu me bë fjalë të mëdha e të nxehta për lëvizje e parti! Sigurisht kohë ende ka dhe opinioni sqarime pret!