Një tjetër goditje për mafian shqiptare në Ekuador. Pas kapjes së bosit të drogës shqiptare Dritan Gjika në Emiratet e Bashkuara Arabe, Policia dhe Ushtria sekuestruan tre ton kokainë në një fermë në Chongón, një famulli e Guayaquil, më 3 korrik 2025.
Sipas policisë droga ishte fshehur në një fermë bagëtish, e cila besohet të jetë një nga kompanitë fasadë të përdorura nga mafia shqiptare në vend.
Droga u gjet në pako drejtkëndëshe dhe në një kamion të ngarkuar me banane gjatë një operacioni të kryer herët në mëngjes të enjten.
“U identifikua një pronë që vepronte nën maskën e një ferme bagëtish. Brenda ishte një kamion që përmbante kuti me banane dhe u gjet substanca e bardhë”, tha koloneli Víctor Hugo Ordóñez.
Pas bastisjes së pronës, u arrestuan pesë persona, të cilët besohet se janë pjesë e një organizate kriminale të lidhur me mafian shqiptare. Kamioni, që mbante banane dhe drogë, u dërgua në stacionin e policisë në Guayaquil për t’u ekzaminuar.
Në vitin 2024, gjatë çështjes Pampa, u zbulua mënyra e veprimit të mafias shqiptare në Ekuador, përfshirë përfshirjen e kompanive eksportuese të bananeve.
Zakonisht, dërgesat e drogës të kontrolluara nga trafikanti i drogës Dritan Gjika nga Emiratet e Bashkuara Arabe dërgoheshin jashtë vendit nëpërmjet njërit prej porteve të Guayaquil, me destinacion Evropën.