Me rastin e 249-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, koalicioni VLEN ka përcjellë urimet më të përzemërta për popullin amerikan dhe institucionet e këtij vendi mik dhe aleat.
“Në këtë ditë të veçantë për kombin amerikan, shprehim respektin dhe mirënjohjen tonë të thellë për miqësinë dhe partneritetin me SHBA-në, që përbëjnë një ndër themelet kryesore të orientimit tonë politik dhe strategjik,” thuhet në urimin e VLEN.
VLEN vlerëson rolin historik që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur në mbështetjen e proceseve demokratike, forcimin e stabilitetit dhe zhvillimin e rajonit.
“Jemi krenarë për aleancën tonë të fortë dhe për vlerat e përbashkëta që na lidhin: demokraci, liri, barazi dhe sundim të ligjit. Do të vazhdojmë të punojmë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendit tonë dhe SHBA-së, si një orientim i palëkundur drejt së ardhmes euroatlantike,” theksohet në mesazh.
Në fund të urimit, VLEN shpreh urimin: “Qoftë e përjetshme miqësia me SHBA-në!”(INA)