Deputeti i ASH-së, Rijad Shaqiri, reagon ashpër mbi propozim-rebalancin e Buxhetit për vitin 2025. Sipas deputetit Shaqiri, me propozimin e rebalancit, shumica qeverisëse anashkalon dhe përbuz shqiptarët dhe projektet për vendbanimet me shumicë shqiptare.
“Në debatin e sotshëm për propozim-rebalancin e buxhetit për vitin 2025, paraqita vërejtjet e mia me fokus të veçantë se kemi një shkelje flagrante dhe nëpërkëmbje të zërave buxhetorë, ku pritej që nga propozim-buxheti i vitit 2025 të ketë financim të disa projekteve infrastrukturore në të mirën e qytetarëve shqiptarë”, sqaron deputeti Shaqiri dhe vazhdon se me këtë propozim buxheti, politikat zhvillimore për shqiptarët janë inekzistente.
“Edhe një herë kemi anashkalim dhe përbuzje të nevojave infrastrukturore, si dhe politikave zhvillimore të zonave të banuara shqiptare, edhe përkundër faktit që bizneset shqiptare dhe populli shqiptar kontribuojnë me një përqindje të theksuar në buxhetin e shtetit”, deklaron Rijad Shaqiri, deputet i ASH.
Në reagimin e tij, deputeti i ASH-së thotë se eurointegrimet as që duhen diskutuar me këtë propozim buxhet.
Deputeti Shaqiri ngre shqetësime edhe për projektet shëndetësore, sidomos për ndërtimin e klinikave.
“Qendrat klinike që ishin të parapara për t’u financuar në projekt-buxhetin e vitit 2025, sot janë vetëm pa mjete financiare”, mbyll reagimin e tij deputeti i ASH, Rijad Shaqiri.