Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Blerant Ramadani, ka përshëndetur lajmin për legalizimin e objektit shkollor në fshatin Nerovë të Krushevës, duke e cilësuar atë si një “fitore të merituar” për komunitetin shqiptar.
“Një ëndërr e gjatë, një betejë e drejtë dhe një fitore e merituar! Me vendosmërinë e prindërve, përkushtimin e komunitetit dhe përkrahjen e pakursyer të Ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, z. Denion Meidani, shkolla në fshatin Nerovë po bëhet realitet!”, theksoi Ramadani.
Ai shtoi se angazhimi i Aleancës për Shqiptarët në këtë proces ka qenë i pakursyer, duke përshëndetur vendimin institucional për legalizimin e objektit shkollor, i cili hap rrugën për kushte më të mira mësimore për mbi 120 nxënës shqiptarë.
“Faleminderit të gjithë atyre që nuk u dorëzuan dhe besuan se arsimi është e drejtë, jo luks. Kjo është një fitore për fëmijët tanë, për gjuhën tonë, për të ardhmen tonë!”, përfundoi Ramadani.
https://www.facebook.com/share/p/1AV6oYRqBS/?mibextid=wwXIfr