Ish-deputeti dhe ish-kryetari i LSDM-së në Kumanovë, Martin Kostovski, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar komune në zgjedhjet lokale të ardhshme, si kandidat i LSDM-së dhe koalicionit.
“Është një nder i madh për mua të jem kandidat për kryetar të Kumanovës. I falënderoj udhëheqësinë e partisë dhe kryetarin Venko Filipçe për besimin e dhënë, si dhe të gjithë ata që më kanë përkrahur”, tha Kostovski, duke shtuar se qytetarët e Kumanovës po kërkojnë ndryshim të vërtetë.
Ai theksoi se gjendja aktuale në komunë është alarmante dhe akuzoi kryetarin aktual, Maksim Dimitrievski, për keqqeverisje dhe përçmim të interesit qytetar.
“Kumanova është e mbuluar me mbeturina dhe infrastrukturë të rrënuar. Ka një kaos urbanistik të krijuar për interesa private, ndërsa qyteti ende në vitin 2025 përballet me mungesë uji dhe mungesë të theksuar të hapësirave për parkim”, theksoi Kostovski.
Ai gjithashtu e kritikoi Dimitrievskin për bashkëpunimin me opozitën maqedonase dhe për, siç u shpreh, “tradhëti të parimeve të shpallura dikur”.
“Do të luftoj fuqishëm që ta rikthejmë Kumanovën në duart e qytetarëve të saj. Do të jem me çdo qytetar për ta ndarë vizionin tim për një komunë funksionale, të drejtë dhe moderne. LSDM do të bashkohet në Kumanovë dhe do të rikthehet më e fuqishme se kurrë. Shkojmë drejt fitores!”, përfundoi ai.
Kandidatura e Kostovskit pritet të ndryshojë ndjeshëm garën politike në këtë komunë strategjike, ndërkohë që fushata pritet të jetë mjaft dinamike.