Qeveria kubaneze akuzoi SHBA- në për “sjellje kriminale dhe shkelje të të drejtave të njeriut” pas njoftimit se Presidenti Donald Trump nënshkroi një memorandum për të intensifikuar presionin ekonomik dhe kufizimet kundër ishullit.
“Memorandumi Presidencial kundër Kubës, i publikuar sot nga qeveria amerikane, përforcon agresionin dhe bllokadën ekonomike që ndëshkon të gjithë popullin kubanez dhe është pengesa kryesore për zhvillimin tonë”, shkroi në X Ministri i Jashtëm Kubanez Bruno Rodriguez.
Memorandumi i Trumpit formalizon politikat e administratës së tij ndaj Kubës, të cilat përfshijnë zbatimin e një ndalimi ligjor për turizmin amerikan në kombin e Karaibeve dhe përforcimin e një embargoje ekonomike.
Shtëpia e Bardhë tha se dokumenti synon t’i japë fund praktikave ekonomike që “i sjellin përfitime në mënyrë disproporcionale qeverisë kubaneze, ushtrisë, inteligjencës ose agjencive të sigurisë në kurriz të popullit kubanez”.
Ndërsa qytetarëve amerikanë u ndalohet tashmë të udhëtojnë në Kubë për turizëm të përgjithshëm, mbeten 12 kategori specifike udhëtimesh, duke përfshirë vizitat familjare, shkëmbimet arsimore, projektet humanitare dhe garat sportive.
Memorandumi urdhëron pajtueshmëri më të rreptë me politikën ekzistuese, duke kërkuar auditime të rregullta dhe “mbajtje të detyrueshme të të dhënave të të gjitha transaksioneve të lidhura me udhëtimin për të paktën pesë vjet”.
Direktiva u ndalon në mënyrë të qartë amerikanëve të bëjnë biznes me GAESA-n, një konglomerat i menaxhuar nga ushtria kubane që kontrollon shumë nga hotelet e Kubës.
Ky veprim është ndërmarrë nga administrata Trump në mandatin e saj të dytë kundër qeverisë kubane, duke vazhduar përpjekjet për të përmbysur përpjekjet e administratës Biden për të përmirësuar marrëdhëniet me Havanën.
“Le të mos ketë dyshim, nën udhëheqjen e Presidentit Trump ne do ta mbajmë përgjegjës regjimin e paligjshëm kubanez dhe do të qëndrojmë pranë popullit kuban në ndjekjen e tij për liri dhe drejtësi”, tha Sekretari i Shtetit Marco Rubio.
Turizmi është një burim i rëndësishëm të ardhurash për Kubën, por numri i vizitorëve ka rënë për shkak të mungesave të mëdha dhe ndërprerjeve të energjisë elektrike në të gjithë vendin që kanë përfshirë ishullin.