Vrasja e Liridona Ademajt, që tronditi opinionin publik, rikthehet sot në fokus të drejtësisë, me mbajtjen e seancës së radhës në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Të akuzuarit për këtë krim të rëndë – Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla – do të përballen me shqyrtimin gjyqësor, në një proces që pritet të ndriçojë më tej rrethanat e vrasjes makabre.
Në seancat paraprake, Murseli, i cili dyshohet se ka porositur vrasjen e bashkëshortes së tij, është deklaruar i pafajshëm. Madje, ai ka deklaruar se “nëse provohet fajësia, vetë do të kërkojë dënim me burgim të përjetshëm”.
Ndërkohë, i akuzuari Granit Plava ka zgjedhur të mbrohet në heshtje, kurse Kushtrim Kokalla ka mohuar përfshirjen në vrasje, duke u deklaruar gjithashtu i pafajshëm.
Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq, ka thënë se Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda – pas zhvillimit të hetimeve ka ngritur aktakuzë ndaj të treve, duke i ngarkuar me vepra penale që lidhen me organizimin dhe kryerjen e vrasjes.
Sipas saj, pas mbledhjes së provave të shumta dhe deklaratave të ndryshme të dhëna në polici, Prokuroria ka arritur në përfundimin se ekziston dyshim i bazuar se të pandehurit kanë qenë të përfshirë në këtë krim.