Policia e Sarandës ka zbuluar dhe dokumentuar një rast të trafikut të paligjshëm të mjeteve lundruese nga Greqia në Shqipëri, në kuadër të operacionit të koduar “Silent Crossing”.
Hetimet nisën pas kallëzimit të një shtetasi grek, i cili raportoi se gjatë natës së 28 qershorit, në ishullin e Korfuzit i ishin vjedhur dy mjete lundruese, një gomone dhe një skaf, duke dyshuar se ato mund të ishin trafikuar drejt Shqipërisë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, policia arriti të arrestojë në flagrancë shtetasin D. D., 23 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, Sarandë.
Në vijim, janë shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë të dyshuar si pjesë e të njëjtës veprimtari kriminale:
- J., 48 vjeç, banues në Sarandë
- J., 24 vjeç, banues në Sarandë
- K., 48 vjeç, banues në Tepelenë
Sipas të dhënave paraprake, të katër personat dyshohet se kanë marrë pjesë në vjedhjen e mjeteve lundruese në Korfuz, duke i trafikuar më pas në territorin shqiptar, konkretisht në Sarandë.
Gjatë kontrolleve të kryera nga policia, një nga mjetet e vjedhura është gjetur i fshehur në një parcelë në fshatin Vrion, në bashkinë Finiq. Mjeti u sekuestrua si provë materiale, së bashku me një kamion që dyshohet se është përdorur për transportimin nga bregdeti drejt vendit ku u fsheh.
Policia vijon hetimet për kapjen e personave në kërkim dhe për identifikimin e çdo të dyshuari tjetër të përfshirë në këtë rrjet trafiku ndërkombëtar. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.