VLEN, në një konferencë për media, e cilësoi regjistrimin e popullsisë së vitit 2021 si një padrejtësi të madhe institucionale ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke e quajtur një projekt politik për uljen e numrit të tyre në statistika. Sipas VLEN, ndarja në “rezidentë” dhe “jorezidentë” shërbeu për të përjashtuar diasporën shqiptare, që ka një rol kyç në mbështetjen e vendit. Ata akuzuan BDI-në dhe LSDM-në për manipulim të qëllimshëm dhe përdorim të statistikave për qëllime politike. Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese që rrëzon këtë ndarje u konsiderua si fitore morale dhe hap për korrigjimin e padrejtësisë. VLEN kërkon riregjistrim dhe përfshirje të plotë të diasporës në përfaqësim.
Në vijim po e përcjellim të plotë reagimin e VLEN-it:
Jemi mbledhur sot për të hedhur dritë mbi një nga padrejtësitë më të mëdha institucionale që i është bërë ndonjëherë popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut: regjistrimi i popullsisë i vitit 2021. Ky nuk ishte një proces statistikor. Ky ishte projekt politik, i ideuar për të zvogëluar shqiptarët në letra, për t’i fshirë nga statistikat, për t’i nxjerrë jashtë vendimmarrjes.
Me firmën e BDI-së dhe me zbatimin teknik të LSDM-së, Enti Shtetëror i Statistikave u shndërrua në instrument të manipulimit, duke ndarë shqiptarët në “rezidentë” dhe “jorezidentë”, një ndarje e paimagjinueshme, që kishte vetëm një synim: të përjashtojë nga llogaritja mijëra shqiptarë të diasporës. Diaspora jonë, që e ka mbajtur në këmbë ekonominë e këtij vendi për dekada, u trajtua si e padukshme, si statistikisht e pavlefshme, si problem për t’u shmangur.
Por pse? Sepse diaspora nuk mund të kontrollohej nga BDI-ja. Nuk mund të frikësohej, nuk mund të blinte vota, nuk mund të manipulohej. Kështu lindi mashtrimi më i madh i regjistrimit: etiketimi i qëllimshëm si “jorezidentë”. Kjo nuk ishte gabim, ishte kalkulim cinik tribal: Sa më pak shqiptarë në numra, aq më pak rrezik për pushtetin tonë.
Pyesim publikisht: Si është e mundur që në Reçicë të Vogël regjistrimi të numërojë vetëm 1.653 shqiptarë mbi 18 vjeç, ndërsa në zgjedhjet e fundit të dalin mbi 2.400 vota vetëm për partitë shqiptare?
Pyesim:
Si është e mundur që në fsh. Zhelinë të ketë 3432 banorë e 4103 votues? Si është e mundur që në fsh.Strimnic të ketë 1937 banorë të regjistruar e 2644 votues? Dhe kjo gjendje vazhdon edhe ne shume fshatra tjerë? A ka përdorur BDI lista të fryra për të mbushur kutitë? Apo ka shpërngulur njerëzit në “botën e statistikave të fshehta”? Dhe si në çdo skemë mashtrimi, në fund u shtua edhe “qershia mbi tortë”: një kategori fantazmë, “persona për të cilët të dhënat janë marrë nga burime administrative”. Kjo kategori nuk ekziston në asnjë ligj, por prodhoi mbi 132.000 banorë të panjohur, shumica maqedonas, ndërsa shqiptarët e vërtetë, ata të diasporës, u zhdukën qëllimisht nga numrat.
Dhe më në fund, Gjykata Kushtetuese, para dy ditësh, e rrëzoi këtë mashtrim të ligjshëm, duke shpallur antikushtetues ndarjen “rezident/jorezident”. Kjo është fitore e së vërtetës, dhe dënim moral për tradhtarët e interesit kombëtar.
Ne në VLEN nuk bëjmë kalkulime me popullin tonë. Ne nuk frikësohemi nga mërgata, përkundrazi, jemi zëri i saj. Ne nuk njohim shqiptarë “të mirë” e “të padëshiruar” sipas interesit të pushtetit.
Çdo shqiptar ka vend në vendimmarrje. Ne nuk do ndalemi, derisa kjo padrejtësi të korrigjohet, me riregjistrim të diasporës, me përfshirje të saj në çdo mekanizëm përfaqësimi.
Regjistrimi i vitit 2021 nuk ishte dështim, ishte TRADHTI. Një tradhti e planifikuar, e zbatuar me urdhër nga lart, me puthadorë të bindur në çdo institucion. Por sot, kjo skemë është rrëzuar. Dhe jo, as Soravia, as klanet e Reçicës, nuk do ta shpëtojnë dot më gënjeshtrën.