Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme një rast të korrupsionit zgjedhor të ndodhur në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Sipas njoftimit zyrtar, SPAK ka dërguar për gjykim procedimin penal nr. 60/1 të vitit 2025, në ngarkim të dy personave të pandehur:
–Pandeli Bozha, i akuzuar për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”,
–Vladimir Lushkaj, i akuzuar për veprën penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”.
Hetimet janë zhvilluar me metoda proaktive dhe kanë dokumentuar një episod të ndodhur më 8 maj 2025, rreth orës 10:00, kur sipas SPAK, Pandeli Bozha ka shkuar në banesën e Vladimir Lushkajt dhe i ka futur në xhep një kartëmonedhë, duke i treguar gjithashtu një fletë të ngjashme me atë të votimit, ku i sugjeronte kandidatin për të cilin duhet të votonte.
Më tej, shtetasi Vladimir Lushkaj ka dorëzuar pranë oficerëve të policisë gjyqësore kartëmonedhën dhe fletën e votimit të rreme, ku emri i kandidatit ishte i theksuar me ngjyrë portokalli. Këto janë sekuestruar si prova materiale.
Nga analiza e provave dhe veprimeve procedurale, SPAK konkludon se janë përmbushur elementët e veprave penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv në zgjedhje, duke e çuar kështu çështjen për gjykim.
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.60/1 të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurve:
Pandeli Bozha – i akuzuar për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, i parashikuar nga nenet 328 i Kodit Penal
Vladimir Lushkaj – i akuzuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv në zgjedhje”, i parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.
Hetimet për këtë procedim penal janë zhvilluar përmes metodave proaktive.
Gjatë procesit hetimor, nga kqyrja e pamjeve filmike dhe veprimet procedurale të autorizuara nga prokurori është dokumentuar një episod i datës 08.05.2025, rreth orës 10:00, kur shtetasi Pandeli Bozha ka shkuar në banesën e shtetasit Vladimir Lushkaj. Në këtë takim, Pandeli Bozha i ka futur në xhep një kartëmonedhë dhe i ka treguar një fletë të ngjashme me atë të votimit, duke i sugjeruar emrin e kandidatit për të cilin duhet të votonte.
Pas marrjes në pyetje, shtetasi Vladimir Lushkaj ka dorëzuar pranë oficerëve të policisë gjyqësore kartëmonedhën dhe një fletë të ngjashme me atë të votimit, ku emri i kandidatit për deputet ishte theksuar me ngjyrë portokalli. Këto materiale janë sekuestruar si prova në kuadër të këtij procedimi penal.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se veprimet e dokumentuara përmbushin elementë të veprave penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe Korrupsion pasiv në zgjedhje”, të parashikuara respektivisht nga nenet 328 dhe 328/b të Kodit Penal.