Policia e Durrësit ka arrestuar në flagrancë një 35-vjeçar, i cili u kap teksa tentonte të vidhte në një banesë në lagjen nr. 17 të qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, i riu u ndalua nga forcat e rendit brenda banesës ku kishte hyrë me qëllim vjedhjeje. Gjatë veprimeve hetimore, dyshohet se i njëjti person është autor edhe i një tjetër vjedhjeje të ndodhur disa orë më parë, ku ka marrë një biçikletë në lagjen nr. 18.
Njoftimi i policisë
Durrës/ U kap në flagrancë në banesën ky kishte hyrë për të vjedhur, arrestohet 35-vjeçari.
35-vjeçari dyshohet se kishte kryer një tjetër vjedhje, disa orë para arrestimit.
Sekuestrohet një mjet prerës (thikë) që iu gjet 35-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik.
Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Durrës menjëherë pas njoftimit nga një shtetase, se po tentohej të vidhej në banesën e saj, në lagjen nr.17, u bë e mundur kapja në flagrancë e autorit të këtij rasti, shtetasit:
O. T., 35 vjeç, banues në Durrës.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, disa orë para kësaj tentative për vjedhje, ka vjedhur një biçikletë, në lagjen nr. 18.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.