Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, ka shprehur falënderimet e tij ndaj presidentit amerikan Donald Trump për mbështetjen e dhënë ndaj tij personalisht dhe ndaj popullit hebre, vetëm pak kohë pas deklaratës së parë publike të liderit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, që pas armëpushimit mes dy vendeve.
“Faleminderit shumë, President Trump, për mbështetjen tuaj prekëse ndaj meje dhe për mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme ndaj Izraelit dhe popullit hebre. Do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të mposhtur armiqtë tanë të përbashkët, për të liruar të burgosurit tanë dhe për të zgjeruar me shpejtësi rrethin e paqes”, shkroi Netanjahu në një postim në platformën X, të cilin e shoqëroi me një fotografi të përbashkët me Trump-in.
Më pas, Netanjahu shpërndau sërish mesazhin e Trump-it në rrjetin Truth Social, ku ish-presidenti amerikan kritikoi procesin gjyqësor për korrupsion ndaj kryeministrit izraelit, duke e cilësuar atë si një “proces qesharak” dhe një “gjueti shtrigash”.
Trump shkroi se ai dhe kryeministri izraelit “kanë kaluar së bashku nëpër FERR, duke luftuar një armik shumë të vështirë dhe të zgjuar afatgjatë të Izraelit, Iranin, dhe Bibi Netanjahu nuk mund të kishte qenë më i mirë, më inteligjent apo më i fuqishëm në DASHURINË e tij për Tokën e Shenjtë të jashtëzakonshme”.
“Çdokush tjetër do të kishte pësuar humbje, turp dhe kaos! Bibi Netanjahu ishte një LUFTËTAR, si asnjë tjetër në historinë e Izraelit”, theksoi Trump, duke shtuar se procesi ndaj tij është çështje politike dhe duke kërkuar ose anulimin e menjëhershëm të gjyqit, ose faljen e tij, ndërsa e quajti Netanjahun “hero kombëtar që ka bërë kaq shumë për vendin e tij”.