Autoritetet shpalosën datën, sistemi “OneStopShop” në pikën kufitare Tabanoc do të hyjë ne funksion më 5 korrik. Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, tha se ky sistem do të funksionojë në kuptimin e plotë të fjalës, dhe i njëjti pritet t’i shkurtojë përgjysmë kolonat e makinave.
“Në parim jemi marrë vesh që 5 korriku të jetë dita kur do të vendoset në funksion në të gjitha kabinat, ky sistem i ri i kontrollit të qytetarëve. Thënë thjesht, ne e mbrojmë hyrjen tonë, zyrtarët policorë nga Serbia, do ta mbrojnë hyrjen në Serbi, me çka do t’i shkëmbejmë informacionet shumë shpejtë, në korniza të kontrolleve dhe do të implementojmë një OneStopShop në kuptimin e plotë të fjalës”, deklaroi Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme.
Toshkovski paralajmëroi implementim të këtij sistemi edhe me Shqipërinë, duke nënvizuar se deri në fund të verës, pritet të fillojë faza e testimit në të dyja pikat kufitare me këtë shtet.
“Dua të paralajmëroj se vendi i tretë me të cilin planifikojmë ta implementojmë OneStopShop, është Republika e Shqipërisë, punojmë në mënyrë intensive edhe me zyrtarët policorë shqiptarë, sistemi i tillë i mençur i kontrollit planifikohet për të dy pikat kufitare që i kemi me Shqipërinë. Shpresoj se deri në fund të verës do të fillojmë me fazën e testimit, këtu do të varet edhe miratimi formal i akteve në korniza të kuvendeve të të dyja vendeve, dhe shpresoj se sa më shpejtë të jetë e mundur do ta vendosnim në funksion edhe me Shqipërinë”, tha Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme.
Me këtë do të përmbyllej vendosja në funksion e këtij sistemi, në të gjitha pikat kufitare me 3 vendet fqinje që nuk janë pjesë e BE-së, respektivisht Kosovën, Serbinë dhe Shqipërinë. /Alsat.mk