Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka vlerësuar lart rolin e institucionit të Avokatit të Popullit në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, gjatë fjalës së saj në ceremoninë për 25-vjetorin e krijimit të këtij institucioni.
“Avokati i Popullit nuk është thjesht një strukturë monitoruese, por një hallkë kyçe në ndërtimin e një kulture demokratike dhe të një shteti më të ndërgjegjshëm,” u shpreh Spiropali.
Ajo theksoi se institucioni është ndërtuar me një mandat të qartë kushtetues për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve dhe për të përforcuar mekanizmat e kontrollit demokratik, sidomos në një vend me një të kaluar autoritare.
“Avokatit të Popullit i është dashur jo vetëm të mbrojë qytetarin, por edhe të edukojë institucionet shtetërore me një frymë më humane dhe qytetare,” tha ndër të tjera Spiropali.
Elisa Spiropali: Ky institucion është ndërtuar me një mandat të qartë kushtetues. Të mbrojë të drejtat dhe liritë themelore të cdo qytetari dhe të përforcojë mekanizmat e kontrollit demokratik. Duke qenë një institucion i ri, në një shtet që vinte nga një përvojë e gjatë e shpërfilljes dhe e shtypjes së të drejtave të njeriut, avokatit të popullit i është dashur që në 25 vite të kryejë detyrën e tij si mbrojtjes i të drejtave të njeriut, por edhe të edukojë. Të edukojë një mënyrë tjetër të operimit të institucioneve shtetërore, një mënyrë më humane, më të ndërgjegjshme dhe respektuese ndaj të drejtës së qytetarit.
Të jemi të qartë, nëse ka një vijë demarkacioni ku ndahet një shtet demokratik, nga nja autokraci brutale kjo është qasja e super strukturës së shtetit ndaj qytetarit të vet. Shteti në vetvete është një instrument forcë, por kur një shtet kujdeset të ndërtojë dhe të mirëmbajë mjete që e frenojnë vetë shtetin nga tejkalimi i forcës, manifestimi i arbitraritetit dhe diktati i pashpirt i germës mbi frymën, mund të jemi të sigurt, po jetojmë në demokraci.