Anëtari i Kryesisë Qendrore të partisë Alternativa, Mesut Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve brenda partisë, duke akuzuar drejtues të saj se po lavdërohen për bashkëpunimin me VMRO-DPMNE-në dhe kryetarin e Kumanovës, Maksim Dimitrievski, në funksion të zgjedhjeve lokale.
Përmes një postimi publik, Bajrami shprehet se ky bashkëpunim po bëhet “me të gjitha kapacitetet”. Ai i drejtohet me ironi- Zeqirja Ibrahimit dhe Bashkim Murtezit, duke i pyetur nëse është e vërtetë ajo që ka dëgjuar në mbledhje: se ky plan është diskutuar hapur në strukturat e partisë.
“Deri sa në Kryesinë Qendrore të Alternativës lavdërohen se VMRO-ja do të na ndihmojë në zgjedhje lokale, bashkë me Maksim Dimitrievskin me të gjitha kapacitetet që i kanë — vetëm për të mos e lejuar BDI-në të kthehet në Qeveri — merreni vesh, Shqipe 🇦🇱, se ku është puna! Zeqirja Ibrahimi & Bashkim Murtezi, a është e vërtetë se me veshët e mi e kam dëgjuar edhe këtë në mbledhje?”, shkruan Bajrami, duke lënë të kuptohet për një krizë të brendshme dhe përçarje në radhët e Alternativës.