Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka vijuar me “sulmet”, kritikat por dhe ofendimet ndaj kreut të Rezervës Federale, Jerome Powell.
Përmes një postimi në platformën “Truth Social”, e ka cilësuar e një herë si të “vonuar”, për shkak se Powell nuk pranon uljen e normës së interesit.
Sot do të zhvillohet në Kongres një takim me Rezervën Federale, lidhur me çështjen e normave. Trump shkruan se në këtë takim, Powell do të shpjegojë pse nuk pranon uljen e normës së interesit, gjë që për presidentin është e paarsyeshme.
Thirrje ka për Kongresin nga ana e Trump, që të “sjellin në vete” Powell-in.
“I vonuari” Jerome Powell, i Rezervës Federale, do të jetë sot në Kongres për të shpjeguar, ndër të tjera, pse po refuzon të ulë normën e interesit. Evropa ka pasur 10 ulje, ne kemi pasur ZERO. Pa inflacion, ekonomi e shkëlqyer – Duhet të jemi të paktën dy deri në tre pikë më poshtë. Do t’i kursente SHBA-së 800 miliardë dollarë në vit, plus. Çfarë ndryshimi do të bënte kjo. Nëse gjërat më vonë ndryshojnë në negativ, rrisni normën e interesit. Shpresoj që Kongresi ta përmirësojë vërtet këtë person shumë budalla dhe kokëfortë. Do të paguajmë për paaftësinë e tij për shumë vite që do të vijnë. BORDI DUHET TË AKTIVIZOHET. BËJENI AMERIKËN TË MADHE PËRSËRI!”, shkruan Trump.