Në vitin 2024, përmbaruesit në Maqedoninë e Veriut trajtuan gjithsej 167,112 kërkesa për ekzekutim, prej të cilave 73,795 u përfunduan me sukses, duke arritur një normë realizimi prej 44.15%. Në këtë periudhë, përmbaruesit mbledhën mbi 160 milionë euro, ku një pjesë e konsiderueshme u kthye në favor të kreditorëve dhe shtetit.
Sipas raportit të Odës së Përmbaruesve, vitin e kaluar u paraqitën 137 ankesa nga palët e përfshira në procedura, prej të cilave 15 çështje u drejtuan në procedura disiplinore. Një përmbarues u gjobit dhe një tjetër u pezullua përkohësisht, ndërsa asnjë licencë nuk iu hoq përgjithmonë.
Gjykatat Themelore të Ohrit, Strugës dhe Dibrës dolën më efikase, me një përqindje realizimi deri në 55.6%, ndërsa zonat e Koçanit, Berovës, Vinicës dhe Delçevës shënuan përqindjet më të ulëta. Përmbaruesit kanë mbledhur mbi 2 milionë euro në favor të shtetit dhe mbi 127 milionë euro për ekonominë.
Në mes të vitit 2023, ndryshimet ligjore ndaluan grumbullimin e interesave kur ato arrijnë shumën e borxhit kryesor, duke kufizuar kështu koston për borxhlinjtë. Gjykata Kushtetuese gjithashtu hoqi afatin e vjetërsimit për borxhet, duke eliminuar një nga arsyet e mëparshme për mospagimin.
Aktualisht, numri i përmbaruesve qëndron në 93, një nivel i qëndrueshëm krahasuar me vitet e kaluara. Për momentin, diskutohen iniciativa të reja ligjore për të përfshirë në procedurat e ekzekutimit edhe avokatët dhe noterët, duke synuar përmirësimin e mëtejshëm të sistemit nga Ministria e Drejtësisë.(INA)