Këtë vit janë regjistruar tre persona me listeriozë, një person në moshë 50, një 65 dhe një 78 vjet, ndërsa më i moshuari prej tyre ka ndërruar jetë, konfirmuan për Meta.mknga Instituti i Shëndetit Publik (IShP). Kjo sëmundje shkakton një infeksion të rëndë që zakonisht ndodh pas konsumimit të ushqimit të kontaminuar me bakterin Listeria monocytogenes, transmeton Portalb.mk.
Prof. d-r. Dragan Koçinski, epidemiolog në IShP, thotë se numri më i madh i rasteve është regjistruar në vitin 2014 (kur janë regjistruar 11 raste të infektimit dhe 5 raste të vdekjes), dhe që atëkohë numri i rasteve është rritur deri në maksimum 5 në vit.
“Ky numër prej tre rastesh është i pritshëm. Të gjithë të sëmurëve u është bërë anketë epidemiologjike nga ana e epidemiologëve. Kjo sëmundje ka një periudhë inkubacioni deri në 70 ditë (por në të shumtën e rasteve periudha e inkubacionit zgjat 3 javë), kështu që është më e vështirë të merren të dhëna në lidhje me ushqimin, ku është blerë, si është përgatitur para konsumimit, etj”, tha ai.
Çdo ushqim mund të jetë i dyshimtë
Çdo ushqim mund të jetë i dyshimtë dhe në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për ushqim që nuk është i freskët, domethënë ushqim i paketuar – qumësht, produkte qumështi, mish, produkte mishi, fruta dhe perime të freskëta.
Siç thuhet në tekstin informativ në uebfaqen e IShP-së lidhur me këtë sëmundje, ushqimet më të shpeshta që janë burim i përhapjes së listeriozës janë mishi dhe produktet e mishit (salçiçe, suxhukë, pate, mishra të thatë), qumështi i papasterizuar dhe produktet e qumështit, si djathi i butë, djathi krem, gjalpi, sidomos nëse janë bërë nga qumështi i papasterizuar; peshku dhe ushqimet e detit të freskëta ose të tymosura, mishi i ngrirë dhe produktet e mishit, frutat dhe perimet e freskëta dhe të ngrira, sallatat dhe sanduiçët e parapërgatitur, farat gati për konsum.
“Infeksioni mund të transmetohet edhe nëpërmjet perimeve dhe frutave të freskëta të kontaminuara, si shalqiri dhe pjepri (epidemi të njohura në mbarë botën). Rrugë të tjera të transmetimit të infeksionit mund të jenë: kontakti i drejtpërdrejtë me kafshët e infektuara, organet, indet dhe jashtëqitjet e tyre, ose me mjedis të kontaminuar. Gratë shtatzëna mund ta transmetojnë infeksionin tek të porsalindurit e tyre nëpërmjet placentës ose gjatë lindjes”, thuhet në publikim.
Si përhapet listerioza?
Bakteri që e shkakton listeriozën është i përhapur në mjedisin jetësor dhe mund të gjendet në tokë, ujëra sipërfaqësore, vegjetacion dhe në një numër të madh kafshëve të egra dhe shtëpiake.
Sa i përket kafshëve shtëpiake, listerioza është më e shpeshtë te delet, dhitë, lopët dhe bagëtitë e tjera, por edhe te brejtësit, qentë, macet, derrat, shpendët, papagajtë dhe kanarinat. Një numër i madh i kafshëve shtëpiake dhe të egra – gjitarët, zogjtë, pastaj peshqit dhe gaforret – mund të jenë bartës të bakterit, por të mos kenë asnjë simptomë.
“Kafshët shtëpiake në të shumtën e rasteve infektohen përmes ushqimit të kontaminuar nga brejtësit dhe kafshët e egra, të fermentuar dobët në silose. Njerëzit zakonisht sëmuren përmes konsumimit të ushqimit të kontaminuar, por ka mundësi që bakteri të transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë, si dhe përmes inhalimit”, thuhet në publikim.
Simptoma mund të ketë, por jo domosdoshmërisht
Listerioza mund të shkaktojë një spektër simptomash. Disa pacientë mund të mos kenë kurrfarë simptoma – zakonisht njerëzit e shëndetshëm. Këta persona, si dhe gratë që nuk janë shtatzëna, shpesh e kalojnë infeksionin me simptoma të një infeksioni akut të zorrëve – inflamacion të stomakut dhe zorrëve (nauze, dhimbje stomaku dhe diarre, plogështi, dhimbje koke, ethe). Mund të ndjejnë edhe lodhje, dhimbje të muskujve, të kyçeve, të vjella dhe dhimbje të fytit (simptoma të ngjashme me gripin).
Sa i përket diagnozës testet laboratorike për vërtetimin e infeksionit nga listerioza kryhen me ndihmën e gjakut ose lëngut cerebrospinal (likuor). Testet laboratorike kryhen edhe tek mostrat e ushqimit dhe mjedisit jetësor, e që kanë për qëllim detektimin e burimit të listeriozës. Trajtimi bëhet me antibiotikë. Kundër këtij infeksioni nuk ka vaksinë.
Si ta shmangim infektimin?
Masat preventive janë të ngjashme me ato si për të gjitha sëmundjet e tjera që burojnë nga ushqimi – të mos konsumohen ushqime të pa gatuara me origjinë shtazore, produktet shtazore duhet të gatuhen mirë – për një kohë mjaftueshëm të gjatë dhe në temperatura të larta. Përveç kësaj, ushqimet e përgatitura paraprakisht (produktet e gatshme dhe gjysmë të gatshme) dhe të ngrira, si dhe ushqimet e shpejta, nuk duhet të ruhen për një kohë shumë të gjatë dhe duhet të ngrohen përsëri para se të shërbehen, por jo më shumë se një herë.
“Konsumoni vetëm qumësht të pasterizuar dhe produkte qumështi të përgatitura ekskluzivisht nga qumësht i pasterizuar, sepse në procesin e pasterizimit bakteret shkatërrohen. Lani mirë duart, sipërfaqet e punës dhe enët dhe pajisjet e përdorura para dhe pas përgatitjes/trajtimit të ushqimit. Pastroni dhe lani shpesh dhe mirë frigoriferët ku ruhet dhe mbahet ushqimi. Perimet, frutat dhe sallatat e freskëta duhet të lahen plotësisht dhe gjatë me sasi të mjaftueshme të ujit – para se të hahen, të copëtohen ose të gatuhen, madje edhe kur qërohen”, thuhet në tekstin informativ lidhur me listeriozën.
Nga Instituti i Shëndetit Publik na përkujtojnë se kanë laborator ku mund të dërgohen mostra nga ushqimet për t’u testuar për praninë e listeriozës.
“Parandalimi ka të bëjë me testimin e rregullt të ushqimit. Nëse ai është i sigurt, ka më pak gjasa që të sëmuremi. Nëse është i sigurt, mund të parandalohen edhe sëmundje të tilla si salmoneloza, helmimet me stafilokoke, etj”, thonë nga IShP-ja.