Nënkryetai i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bajram Rexhepi njëherit shef i shtabit politik të BDI-së përmes një porosie në rrjetet sociale ka dërguar një porosi për shtrirje të dorës njëri tjetrit pasi sipas tij, ky nuk është një moment politik por është një moment kombëtar.
“E kemi detyrim t’ia japim dorën njëri-tjetrit. Jo thjesht për një bashkëpunim zgjedhor, por për një qëndresë të përbashkët ndaj shpërfilljes, përjashtimit dhe përpjekjeve për të zhbërë baraspeshën etnike dhe bashkëjetesën në këtë vend.
Ky nuk është vetëm një moment politik. Është një moment vetëdijësimi. Nevoja për të qëndruar bashkë nuk ka qenë kurrë më e theksuar, për të mbrojtur interesin shqiptar, për të ruajtur dinjitetin dhe për të mos lejuar që askush të vendosë kush meriton të dëgjohet dhe kush duhet të heshtë.
Kur jemi bashkë, nuk na ndal askush. As të padrejtët, as të heshturit, as ata që mendojnë se shqiptarët nuk do ta ngrenë zërin”, ka nënvizuar Bajram Rexhepi.(INA)