Është shtyrë për një datë tjetër seanca gjyqësore ndaj ish-kryetarit të Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, ndërsa nuk dihen ende arsyet.
Dako akuzohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, për të cilën më herët është dënuar nga Gjykata e Posaçme me 2 vite e 8 muaj burg, pas një procesi që u zhvillua me gjykim të shkurtuar.
Akuzat ndaj ish-kryebashkiakut lidhen me dy raste konkrete, ndërtimin e një pallati rreth 11 vite më parë, i cili u shemb gjatë tërmetit shkatërrues të nëntorit 2019, dhe një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, që sipas Prokurorisë i ka shkaktuar një dëm prej 18 milionë lekësh buxhetit të shtetit.
Vangjush Dako u arrestua me urdhër të SPAK në qershor të vitit 2023, ndërsa aktualisht procesi gjyqësor ndaj tij po vijon në Gjykatën e Posaçme të Apelit.