Një ngjarje e rëndë është shënuar ditën e djeshme në qytetin e Maliqit, ku një 59-vjeçar është arrestuar nga Policia, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur, vetëm 12 vjeçe.
Sipas burimeve zyrtare, e mitura kishte dalë për të hedhur mbeturinat pranë banesës, kur në kthim është ndaluar nga fqiu i saj, në katin e dytë të pallatit. Ajo ka deklaruar në polici se shtetasi S.B., 59 vjeç, e ka kapur, e ka prekur në mënyrë të papërshtatshme dhe ka tentuar ta puthë, ndërkohë që vajza është përpjekur disa herë të largohet.
I dyshuari, sipas dëshmisë, i ka ofruar karamele dhe i ka premtuar para, por e mitura ka arritur t’i shpëtojë pasi e ka goditur me shkelm dhe është larguar me shpejtësi drejt banesës, ku i ka treguar ngjarjen nënës së saj.
Familjarët kanë njoftuar menjëherë Policinë dhe janë paraqitur në komisariatin e Maliqit, ku vajza ka dhënë dëshminë në prani të një psikologu.
Pas kallëzimit, forcat e rendit kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit S.B., i cili tashmë ndodhet në ambientet e paraburgimit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq arrestuan në flagrancë shtetasin S. B., 59 vjeç, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një 12-vjeçare,” thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.