Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Gëzim Plakolli, ka thënë se kjo parti do të jetë befasi në zgjedhjet lokale në garën për udhëheqjen e kësaj komune.
Ai ka thënë se garës i kanë hyrë me seriozitet të madh.
I pyetur në “InfoNata” se a synojnë balotazhin, ka thënë se ky është synimi i tyre.
“Që nga 10 shkurti së bashku me ekipin tim jemi fokusuar në përgatitjet për zgjedhjet lokale. Lista jonë do të jetë e përbërë nga njerëzit më të mirë që ka Mitrovica. Do të jemi gjithëpërfshirës, do të jemi unifikues, garës i hyjmë më shumë seriozitet dhe do të jemi befasia e këtyre zgjedhjeve lokale në Mitrovicë. Gjithsesi ky është synimi jonë”, ka thënë ai.
Plakolli ka thënë Lidhja Demokratike e Kosovës synon të shënojë rritje sa i përket udhëheqjes së komunave dhe se synimi i tyre është të fitojnë së paku në 15 komuna.
“LDK-ja është një hap para sa i përket këtyre zgjedhjeve. Së paku në 15 komuna të qeverisë”, ka thënë ai në “InfoNata”.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor.