Mancini pranon pendesën për largimin nga kombëtarja: “Mora vendimin e gabuar”
Ish-trajneri i Italisë, Roberto Mancini, ka pranuar se është penduar për largimin nga drejtimi i kombëtares pas triumfit në Euro 2021. Në një intervistë të fundit, ai rrëfeu se ndarja nuk ishte vendimi i duhur dhe se ndoshta gjithçka mund të kishte shkuar ndryshe, nëse do të kishte më shumë komunikim me presidentin Gabriele Gravina.
“Mora vendimin e gabuar! Për një trajner, nuk ka asgjë më të mirë sesa të drejtosh kombëtaren. Kam fituar me klube, por të fitosh me Italinë është ndryshe… një ndjenjë tjetër”, tha Mancini.
Mungesa e komunikimit, faktori kyç në largim
Mancini theksoi se një nga arsyet kryesore të largimit të tij ishte mungesa e dialogut me kreun e federatës italiane:
“Nëse unë dhe Gravina do të kishim folur më shumë në ato javë, asgjë nga këto nuk do të kishte ndodhur. Nuk e ndjeja më atë besim si më parë, por ndoshta do të duhej të flisja me presidentin”.
Ai shtoi se, në një rrjedhë tjetër ngjarjesh, mund të kishte qëndruar për të tentuar kualifikimin në Kupën e Botës dhe ndoshta, pas triumfit në Europian, të synonte një “dopietë historike”.
Mundësi për rikthim në pankinën e Italisë?
Pas largimit të Luciano Spallettit nga kombëtarja, emri i Mancinit ka rikthyer menjëherë spekulimet për një rikthim të mundshëm. Ai nuk i mohoi zërat:
“Zakonisht thonë se kthehemi aty ku kemi qenë të lumtur. Do të ishte një sfidë e mirë për mua, por edhe një rrezik i madh. Ndonjëherë duhet të marrësh rreziqe, apo jo?”
Mancini nënvizoi marrëdhënien e fortë që ka ruajtur me lojtarët e kombëtares, duke treguar se kontakti me ta nuk është ndërprerë kurrë:
“I shkruajmë njëri-tjetrit, veçanërisht kur ata bëjnë mirë me klubet e tyre. Kam një lidhje të veçantë me ta, dhe mendoj se edhe ata me mua.”
Një kapitull i ri?
Duke folur për raportin me Gravina, Mancini u tregua diplomatik, duke lënë të kuptohet se gjithçka mund të zgjidhet:
“Presidenti e di që gabime bëhen në jetë. Të kuptuarit mes nesh është ajo që ka më shumë rëndësi tani.”