Prokuroria Speciale ka njoftuar se intervistimi i deputetëve të Listës Serbe, Zlatan Elek dhe Slavko Simiq, të cilët dyshohen për veprimtari kundërkushtetuese, është shtyrë për një datë tjetër brenda këtij muaji.
Elek dhe Simiq dyshohen për veprat penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, “Thirrje për rezistencë” dhe “Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese”, lidhur me rastin e barrikadave në vitin 2022 në veri.
Por masa të menjëhershme ndaj dy deputetëve dhe Listës Serbe po kërkon analisti Gani Qarri.

“Faktikisht kryetari i të ashtuquajturës ‘Listë Serbe’ Zllatan Elek dhe zëvendësi i tij Igor Simiq dyshohen për veprat penale, si: “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, “Thirrje për rezistencë” dhe “Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese”, kundër institucioneve legjitime të vendit, kundër rendit e ligjit dhe kundër shtetit të Kosovës, duke mos e njohur as shtetin në të cilin jetojnë dhe veprojnë, ani pse subjekt tërësisht i dyshimtë dhe zgjatës agjenturore-konspirative në shërbim të huaj serbo-rus. Të gjitha këto akte të dënueshme penale, për të cilat të akuzuarit duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të marrin dënimin e merituar, ashtu siç edhe parashohin ligjet e Republikës së Kosovës”, thotë Qarri.
“Në fakt, Elek në vend se si mjek të merrej me shërimin e të sëmurëve fizikë, ai u bashkohej edhe vetë të sëmurëve nacional-psikik serb dhe kriminelëve të përbetuar në protesta e barrikada të rrugëve, përfshirë bllokadën e 6 nëntorit 2022, kur përfaqësuesit e minoritetit serb, me direktivë të Vuçiqit, u larguan nga institucionet e Republikës së Kosovës, me qëllimin e keq të Serbisë hegjemoniste për destabilizimin e veriut të Kosovës, vetëm pse ishte shkarkuar Nenad Gjuriq, për shkak se kishte refuzuar ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për largimin e targave ilegale të lëshuara nga Serbia dhe zëvendësimin e tyre me targa legjitime RKS – të Republikës së Kosovës”, shton Qarri.
Më tej, ai thotë se Zllatan Elek në vazhdimësi ka punuar kundër shtetit të Kosovës.
“Madje përveç pjesëmarrjes në tubimet kundërligjore të kriminelëve serbë, Elek në të gjitha tubimet antishtetërore që i thirrte e ashtuquajtura ‘Listë Serbe’, shprehej se në veri ‘nuk ka vend’ për Policinë e Kosovës, sepse kinse e ashtuquajtura ‘Listë Serbe’ vendos për të gjithë serbët dhe të gjitha vendimet merren në bashkëpunim me Beogradin, pa llogaritur se veriu është territor i pakontestueshëm kushtetues i Republikës së Kosovës dhe vendimet për të, merren vetëm në Prishtinë. Elek mori pjesë edhe në protestat e organizuara në dhjetor të vitit 2022 kundër arrestimit të ish-oficerit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, nën dyshimet për sulm me mjete shpërthyese dhe dyshimin për sulm ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës, duke cenuar territorin e vendit, sigurinë e qytetarëve, shëndetin dhe jetën e policëve të Kosovës, derisa autoritetet e Kosovës ishin të detyruara të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të garantuar sigurinë publike në çdo cep të territorit të saj, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë”, shpjegon Qarri.
Siç thotë ai, Elek dhe Simiq bashkë me kriminelin Radoiçiq kanë ushtruar terror në veri të Mitrovicës, për çka edhe akuzohen edhe tani.
“Prandaj në këtë rast konfuz, nuk bëhet fjalë thjesht vetëm për deputetët, por për vetë kreun e të ashtuquajturës ‘Listë Serbe’, i cili bashkë me zëvendësin e tij, përveç se dyshohen edhe për veprimtari të tjera penale dhe kundërkushtetuese, Elek dhe Igor Simiq akuzohen edhe për pjesëmarrje në barrikada dhe nxitjen e minoritarëve serbë më 2022 për bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës. Elek edhe vendosjen e rendit dhe të ligjit në veri, në këtë pjesë të patjetërsueshme të Republikës së Kosovës, pa asnjë fakt as argument e quante ‘terrori kundër popullsisë serbe’, derisa vetë kriminelët serbë, në krye me kryeterroristin Millan Radoiçiq, zhvillonin terror psikik dhe fizik kundër vetë serbëve në veri, terror i cili arriti deri atje sa të rriheshin rëndë fizikisht, së pari ish-kryetari i të ashtuquajturës ‘Listë Serbe’ Goran Rakiq, e në funddhjetorin e vitit 2024 edhe nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, nën akuza për keqpërdorim të fondeve, jo nga shqiptarët, por nga vetë kriminelët serbë të grupeve terroriste nën udhëheqjen e Millan Radoiçiqit”, nënvizon Qarri.
Qarri kujton se janë pikërisht strukturat kriminale serbe fajtore që mbi 14 mijë shqiptarë u larguan nga pjesa veriore e Mitrovicës.
“Serbët janë ata që në vijimësi kanë bërë terror e masakrime ndaj shqiptarëve, madje edhe pas lufte, duke dëbuar me dhunë nga veriu mëse 14 mijë shqiptarë, të cilët nga organizatat e njohura terroriste si të ashtuquajturat ‘Roja e Urës’, ‘Mbrojtja Civile’ dhe e ashtuquajtura ‘Brigada e Veriut’, me gjithë kalimin e më tepër se dy dekadave, nuk u lejuan më kurrë të kthehen në vatrat e veta autoktone, ku sot, pas më tepër se 20 vitesh, shqiptarët numerikisht mund të ishin baras, apo ndoshta edhe më shumë se ata të pakicës serbe në veri. Njeriu fantom që shpifte pa asnjë fije turpi edhe se gjoja institucionet shëndetësore serbe po përballeshin me ‘katastrofë humanitare’, duke gënjyer publikisht se kinse autoritetet e Kosovës nuk lejonin importin e ilaçeve dhe furnizimeve mjekësore, gjë që ishte hedhur kategorikisht poshtë, me fakte të argumentuara nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës!”, thekson Qarri për “Bota sot”.
Ai thotë se ishte momenti i fundit që Elek dhe Simiq të vihen para drejtësisë.
“Si bashkëpjesëmarrës dhe partnerë të pandarë me Zllatan Elek, jo vetëm në nxitjen e barrikadave dhe protestave, por edhe në propagandën e paprecedent që këta dy tipa kontrovers zhvillojnë në vijimësi kundër rendit e ligjit, Kushtetutës dhe vetë shtetit të Kosovës, deri te përpjekjet për secesion territorial dhe ndarje të Republikës së Kosovës, Prokuroria Speciale, në përputhje me procedurat ligjore dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përfundimisht ka thirrur të dy si të dyshuar në hetimin që po zhvillon në rastin e barrikadave nga viti 2022, për shkak të veprave penale: “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave të tij zyrtare, thirrja për rezistencë dhe shoqërim me qëllim të veprimeve kundërligjore dhe kundërkushtetuese” ndaj institucioneve legjitime të shtetit të Kosovës.”
“Kështu që, duke qenë se Kosova në vijimësi mbetet e rrezikuar nga krahu politik i kryeterroristit Millan Radoiçiq dhe dora e zgjatur e Serbisë në Kosovë, pasi që opozita nuk iu bashkua thirrjes së partisë në pushtet për përjashtimin e pjesëmarrjes së të ashtuquajturës ‘Listë Serbe’ në zgjedhjet e 9 shkurtit, është koha e fundit që ligji ta thotë fjalën e vet dhe e ashtuquajtura ‘Listë Serbe’ përfundimisht të shpallet parti antikushtetuese, të cilës, si krah i dyshuar politik i kryeterroristit Millan Radoiçiq dhe dorë e zgjatur e Vuçiqit në Kosovë, t’i ndalohet urgjentisht me ligj veprimtaria në Kosovë, që vendi ynë të gjejë qetësi e të funksionojë normalisht dhe pa asnjë pengesë ligjore edhe në veri, njëjtë si në çdo cep të territorit shtetëror dhe kushtetues të Republikës së Kosovës”, përfundon analisti Gani Qarri.