Eurodeputetë bullgarë kanë kërkuar nisjen e një hetimi ndaj raportuesit të Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Thomas Waitz, duke e akuzuar atë për njëanshmëri në hartimin e draft-Raportit për vendin.
Për shkak të këtyre zhvillimeve, debati për miratimin e Raportit është shtyrë për më 24 qershor. Megjithatë, kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, shpreh bindje se dokumenti do të kalojë pa pengesa.
“Nuk ka shpëtim, ai Raport do të miratohet, sepse e gjithë Evropa dhe Brukseli e njohin identitetin e veçantë shekullor maqedonas dhe do ta mbështesin atë,” deklaroi Mickoski.
Ndërkohë, kritika kanë ardhur edhe ndaj Komisioneres së BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, nga zyrtarë të lartë bullgarë, të cilët e kanë akuzuar atë për qëndrim të njëanshëm në procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut.