Një murale është realizuar në përkujtim të dy të rinjve, Luan Llanaj, dhe Tomor Mbrati të cilët humbën jetën në datën 1 Qershor në një aksident tragjik në hyrje të qytetit të Vlorës, në zonën e “Pusit të mezinit”.
Kjo murale është realizuar nga miqtë e tyre më të afërt, shokë të klasës, nxënës të shkollës “Industriale Pavarësia”, një prej shkollave profesionale në qytet, ku dy të rinjtë shkolloheshin çdo ditë. Shokë dhe miq të viktimave, po punojnë tashmë prej disa ditësh, në përfundimin e kësaj vepre, në përkujtim të të ndjerëve.
Muralja është realizuar me bojra, në vendin ku dy të rinjtë humbën jetën, në moshën më të bukur, në lule të rinisisë së tyre, pa mundur ta gëzojnë këtë të fundit. Një shenjë kjo e miqësisë së fortë, por edhe respektit, dashurisë, që gëzonin viktimat në shoqërinë e tyre.
closevolume_off
Luan Llanaj, 19 vjeç dhe Tomor Mbrati, 17 vjeç po ktheheshin në shtëpi me motor, teksa në rrugën e “Pusit të Mezinit” duke udhëtuar me shpejtësi, goditën një prej shtyllave të ndriçimit rrugor. 19 vjeçari gjeti vdekjen në vend në mënyrë tragjike. Ndërsa 17 vjeçarit iu dha ndihma e parë, u transportua në Spitalin e Vlorës me shenja jete dhe më pas drejt Traumës në Tiranë, por pa mundur dot ti shpëtojë plagëve të marra pavarësisht ndihmës mjekësore.
Edhe sot e kësaj dite, në vendin e ngjarjes ka shenja të aksidentit tragjik, por nga ana tjetër nuk mungojnë as tufat me lule dhe qirinjtë në përkujtim të dy viktimave.
Luan Llanaj dhe Tomor Mbrati punonin në një servis, nga ku me rrogën e parë të punës, ishte blerë edhe motori që i mori jetën. Njëri nga djemtë ishte shtylla kryesore e familjes, që megjithëse në moshë të vogël, punonte për të mbajtur me të ardhura familjen e tij. Të rinjë shumë afër punës, të aftë profesionalisht, të urtë dhe djem pa probleme.