Naser Pajaziti
Duke shfletu fejsbukun më ra në sy faqja zyrtare e komunës së Kumanovës në rrjetet sociale, që e shpërfill gjuhën shqipe, që nga emri i faqes (profilit) të regjistruar, pastaj edhe postimet, që janë vetëm maqedonisht, thuajse me 99%.
Edhe kryetari i kësaj komune, Maksim Dimitrievski vepron njëlloj!
Nëse shfletojmë Kushtetutën, kjo përbën shkelje të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale.
Në rastin e Kumanovës, ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 % të popullsisë, kryetari dhe administrata lokale janë të detyruar ligjërisht të postojnë çdo njoftim publik edhe në gjuhën shqipe, përfshirë edhe rrjetet sociale që sot janë dominuese në fushën e informimit të qytetarit.
Këtë e precizon qartë Neni 8 dhe Neni 9 në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Nëse komuna publikon diçka vetëm në maqedonisht, i nënshtrohet inspektimit zyrtar nga Inspektorati i Gjuhëve, dhe mund të përballet me ndëshkime administrative.
Si media kemi trajtuar problematikën e tillë edhe më parë, por kjo shkelje ligjore është toleruar. Të pafuqishëm për të ndryshuar kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë edhe këshilltarët komunal.
Por, pse të mos ngritet sërish si çështje, që nga këshilltarët komunal, pastaj mediat, që të marr një kahje definimi, të respektohet ligji dhe ti çjerren maskat të gjithë ata që thirren në ligje, por nuk respektojnë ato!
Kjo praktikë nuk është vetëm në Kumanovë, por edhe në disa komuna tjera që me regjistrimin e fundit dolën mbi 20% me popullsi shqiptare.
Politikanët tanë rrogtarë duke u marrë me thashetheme dhe kacafytje, nuk po kanë kohë me u marr me këto probleme reale dhe shkelje ligjore. Anatemimi apo fshehja pas këtyre problemeve është bashkëfajësi!