Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka shprehur publikisht mirënjohjen për grupin e tifozëve shqiptarë “Shvercerat”, pas një nate emocionuese në kryeqytetin e RMV – Shkup.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasadori Meidani u shpreh i prekur nga atmosfera kuqezi që tifozët krijuan në Shkup, duke i cilësuar ata jo thjesht si tifozë, por si zëra të krenarisë dhe lidhjes shqiptare.
“Mbrëmë, zemra e Shkupit rrahu kuqezi. Me flamuj, me këngë, me zemër të madhe, krijuat një atmosferë që nuk harrohet,” shkroi ambasadori, duke shtuar se “Shkupi u ndriçua nga dashuria për Shqipërinë.”
Ky reagim vjen pas një ndeshjeje që ka grumbulluar një numër të madh shqiptarësh në Shkup, duke treguar edhe një herë lidhjen e fortë kulturore dhe emocionale mes komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë.
Postimi i ambasadorit u shoqërua me disa prej hashtagëve simbolikë si #ShverceratShkup, #KuqezinjNëÇdoTrotuar dhe #ShqipëriKudo, që theksojnë përhapjen dhe fuqinë e identitetit kombëtar përtej kufijve.