Xheneta Ramush, 20-vjeçarja nga Shkupi, për të cilën TV21 raportoi para disa muajve, ka jetuar me vuajtje të mëdha për shkak të epilepsisë dhe skoliozës – një deformim serioz i shtyllës kurrizore që e ka kufizuar lëvizjen e saj dhe i ka vështirësuar jetën në mënyrë të jashtëzakonshme. Ajo nuk mund të ecë pa ndihmën e dikujt dhe përkujdesja e përditshme i ka mbetur nënës së saj, Aidës, e cila me shumë përkushtim e ka mbajtur përgjegjësi për kujdesin e vajzës.
Gjendja e Xhenetës ishte kritike dhe mjekët në Maqedoni nuk i dhanë shpresa për një operacion të suksesshëm, duke paralajmëruar se rreziku ishte shumë i madh. Megjithatë, familja nuk u dorëzua dhe kërkoi mundësi për trajtim jashtë vendit.
Në fund, operacioni u realizua në një spital në Kosovë. Zgjati plot 6 orë dhe u zhvillua nga një ekip i madh mjekësh për shkak të imunitetit të dobët të Xhenetës, që nuk mund të përballonte edhe një dozë shtesë të anestezisë. Megjithatë, ndërhyrja shkoi mirë dhe tani Xheneta është kthyer në shtëpi, ku vazhdon të ketë nevojë për kujdes të vazhdueshëm nga nëna e saj.
-Shpreh falënderimet më të thella për të gjithë njerëzit bamirës që ndihmuan në grumbullimin e mjeteve për operacionin, i cili kushtoi 24 mijë euro. Jam shumë mirënjohëse për çdo ndihmë që na është dhënë. Pa ju nuk do të mund ta kishim bërë këtë hap të madh.
Megjithëse operacioni është bërë, rruga e rimëkëmbjes është ende e gjatë dhe kërkon shumë përkujdesje dhe mbështetje. Nëna dhe vajza vazhdojnë të shpresojnë për një të ardhme më të mirë dhe një ditë që Xheneta të mund të ecë vetë, pa ndihmën e ndokujt.