Ish-gjenerali ushtarak, Muharrem Maralusha ka thënë se dronat janë arma kyçe që Kosova duhet të përdorë, veçanërisht pas sulmit rus ndaj Ukrainës.
Sipas tij, ekspertët ukrainas treguan se një luftë jo-konvencionale me dronë mund t’i japë përparësi formacioneve të vogla kundër forcave më të mëdha.
Ai thotë se ka bashkëpunuar me ushtarakë ukrainas për të trajnuar 10 kosovarë në këtë fushë, por autoritetet në Kosovë nuk reaguan. Kjo tregon mungesë serioziteti, ndërkohë që Kosova duhet të jetë e përgatitur për çdo kërcënim serbo-rus.
Shkrimi i plotë:
Dronat janë një armë e domosdoshme për Kosovën, sidomos kur Rusia sulmoi Ukrainën. Ekspertët e luftës jo-konvencionale kanë vendosur se me një luftë jo-konvencionale, një formacion i vogël mund t’i dalë përballë një armiku më të fuqishëm.
Unë pajtohem plotësisht, sepse vetë jam i specializuar për këtë lloj lufte. Kjo u vërtetua kur forcat ruse sulmuan Ukrainën. Shtabi i ushtrisë ukrainase mori vendim se janë në gjendje t’i përballojnë sulmet ruse dhe të fitojnë.
Unë isha në kontakt me disa ushtarakë ukrainas, të cilët profesionin e tyre e kanë luftën jo-konvencionale. Arrita një marrëveshje me ta që 10 nga 30 ushtarët nga Kosova të ushtrohen (teorikisht dhe praktikisht) në përdorimin e dronave kundër forcave të rregullta ruse. Ukrainasit ishin të gatshëm t’ua mbulojnë edhe shpenzimet e rrugës këtyre vullnetarëve. Stërvitja teorike dhe praktike duhej të zgjasë 6 muaj.
Ky ishte propozimi im dhe ai i ukrainasve. Sipas mendimit tim, ishte një shans i shkëlqyer për stërvitjen e kuadrove të specializuara të Kosovës, duke marrë parasysh që ky lloj specializimi do të nevojitej në rast se forcat serbo-ruse vendosin të sulmojnë Kosovën dhe trojet tjera shqiptare.
Unë i lajmërova disa autoritete në Kosovë, por ata as nuk u përgjigjën. Unë thashë me vete: ne shqiptarët jemi trimë me sharki e qitë, por kur vjen puna për t’u përballur me kolomoqët, jemi si leprat që ikin prej zagareve.
P.S. Herën e fundit që iu afrova autoriteteve në Kosovë për një projekt të ngjashëm, por me efekt më të madh, kaloi një muaj dhe Albini e Maqedonci prapë nuk u përgjigjën. Shqiptarët në Kosovë mendojnë se 4-5 mijë ushtarë të KFOR-it do ta mbrojnë Kosovën nga çdo sulm serbo-rus.
Ymyti na mbyti.