Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka pritur sot në zyrën e tij Hanën, një studente shqiptare nga Shkupi, e cila studion shkenca kompjuterike në universitetin prestigjioz NYU në Abu Dhabi.
Hana është autore e një programi inovativ me inteligjencë artificiale që detekton depresionin me saktësi mbresëlënëse prej 99%. Gjatë takimit, Mexhiti u shpreh i impresionuar nga thellësia e dijes, përkushtimi për shkencën dhe vizioni i saj për të kontribuar në shoqëri përmes dijes dhe teknologjisë.
“Hana është dëshmi e gjallë se edhe nga periferia mund të dalin ide që ndikojnë botën. Është përgjegjësia jonë si institucione t’i mbështesim të rinjtë e tillë, që jo vetëm synojnë sukses personal, por duan të ndryshojnë botën për mirë”, deklaroi Mexhiti.
Ky takim vjen si pjesë e përkushtimit të kabinetit të zëvendëskryeministrit për të promovuar dhe mbështetur talentet e reja shqiptare në fushat e shkencës dhe teknologjisë.