Shumë lëndë gjyqësore në Maqedoni vjetërsohen ndërsa është bërë taktikë që të zvarritet marrja e vendimeve kur bëhet fjalë për persona në funksione të larta, për çka mungon jo vetëm përgjegjësia politike, por edhe ajo penale, thonë profesorët universitarë, shkruan Alsat.
Shumë prej politikanëve që janë përfshirë edhe në listën e zezë të SHBA-ve, ende mbajnë pozita të larta në shtet. I tillë është rasti edhe me kryetarin e Strugës, Ramiz Merko, për të cilin ende nuk ka asnjë aktgjykim për 11 aktakuzat që i ngarkohen.
“E kishim nenin e njohur 353 nga Ligji, që kishte të bënte me keqpërdorimin e detyrës zyrtare. Kishte dënime mjaft të rënda për këtë. E ndryshuan nenin 353 dhe automatikisht, me atë ndryshim të ligjit dhe me shfuqizimin e atij paragrafi, thjesht 80% e veprave u vjetërsuan. Tani përgatitet një Kod i ri Penal. Shtrohet pyetja pse nuk u miratua. Edhe në fushatë të gjitha partitë politike thanë se do ta kthejnë zgjidhjen e vjetër, por duket qartë që politikës i konvenon kjo gjendje”, u shpreh Borçe Davitkovski, Profesor universitar.
Gjëja më e keqe që po ndodh është ndërhyrja përmes ndryshimeve ligjore, me çka ndikohet drejtpërdrejt në zbatimin e drejtësisë. Kjo nuk guxon të ndodhë më, thotë Davitkovski.
“Nëse pushteti gjyqësor e kryen punën siç duhet, atëherë pushteti ekzekutiv nuk do të sillej kaq i shfrenuar në lidhje me zbatimin e politikave. Ata veprojnë sikur kurrë nuk do të mbajnë përgjegjësi. Të gjithë bartësit e funksioneve gjatë 30 viteve të fundit”, theksoi Borçe Davitkovski, Profesor universitar.
“Miratimi i ligjeve burokratike në interes të grupeve të caktuara lobuese, interpretimi i ndryshëm i ligjeve dhe mospërputhja në praktikën gjyqësore kanë sjellë një fenomen – në vend të përgjegjësisë kemi papërgjegjësi. Ekzistojnë institucione kompetente që duhet t’i kryejnë përgjegjshëm detyrat e tyre, që lëndët të mos vjetërsohen, të mos mbeten në sirtarë të harruara, por secili ta kryejë me ndërgjegje dhe ndershmëri punën e vet”, tha Angel Ristov, Profesor universitar.
Besimi në sistemin gjyqësor ndër vite është vetëm 2%./ Alsat.mk