Duke filluar nga sot, vendi do të jetë nikoqir i stërvitjes ushtarake “Përgjigje e shpejtë 2025” si pjesë e stërvitjes së madhe shumëkombëshe DEFENDER 2025 me rreth 12.000 ushtarë që marrin pjesë në vende të ndryshme të Evropës.
Në stërvitjen që do të mbahet në vend, do të marrin pjesë më shumë se 2.000 ushtarë nga vendi, SHBA-ja, Mali i Zi, Kosova, Austria, Greqia, Shqipëria, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar. Maqedonia e Veriut do të marrë pjesë me 950 pjesëtarë të Armatës, SHBA-ja me 710, Mali i Zi me 185 pjesëmarrëes, Kosova me 150, Austria me 70, Greqia 50, Shqipëria 30, Italia 30 dhe Mbretira e Bashkua me dy pjesëmarrës.
Të gjitha njësitë do të përdorin pajisjet e tyre të formacionit, më të rëndësishmet prej të cilave do të jenë tanket Leopard, helikopterët sulmues AH-64 APACHE, helikopterët transportues mjekësor Black Hawk, automjeti inxhinierik “Haski”, mina hedhës 120 mm, helikopteri transportues Mi 8/17 dhe automjetet e blinduara JLTV dhe HMMWV. Në stërvitje do të përdoren manovra standarde dhe municione luftarake të këmbësorisë dhe artilerisë.
Stërvitja teston aftësinë e NATO-s për t’iu përgjigjur kërcënimeve në zhvillim të sigurisë, duke përfshirë sulmet kibernetike, duke shërbyer si një platformë e rëndësishme për përmirësimin e bashkëpunimit shumëkombësh dhe duke konfirmuar gatishmërinë e forcave pjesëmarrëse për të ndarë barrën në mjedise komplekse dhe të kontestuara.
Shefi i Shtatmadhorisë, gjeneral-majori Sashko Lafçiski javën e kaluar në brifing me mediat informoi se kjo stërvitje është një nga më të mëdhatë e zhvilluara ndonjëherë në vend, në të cilën do të marrin pjesë rreth 2,200 ushtarë nga shtatë vende të NATO-s dhe dy vende partnere.
“Stërvitja synon, ndër të tjera, të përmirësojë ndërveprimin midis forcave aleate dhe partnere, si dhe veprimin e përbashkët në kushte komplekse dhe reagimin e shpejtë të forcave në pjesën lindore të Evropës”, theksoi Lafçiski.
“Përgjigje e shpejtë 2025” përkon me 32-vjetorin e Programit të shteteve partnere federale midis Gardës Kkmbëtare të Vermontit dhe Maqedonisë së Veriut, nën patronazhin e Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-së.
Në prag të stërvitjes ushtarake në Manastir dhe Shtip, koncert të përbashkët mbajtën Orkestra ushtarake e Armatës dhe orkestra e Gardës kombëtare nga Vermont, SHBA. Dita e hapur për qytetarët me një prezantim të pajisjeve është planifikuar për 1 qershor në Kavadar, ndërsa sot koncert do të mbajnë në Shkup.
Dita për mysafirët e lartë do të mbahet më 2 qershor, kur do të realizohet stërvitja “Batalion i përforcuar i këmbësorisë në sulm”.
Sipas ambasadores amerikane në vend, Anxhela Ageler, “Përgjigje e shpejtë 2025” është dëshmi e qartë e partneritetit të ngushtë dhe në rritje midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Përmes trajnimeve të përbashkëta, angazhimit të komunitetit dhe bashkëpunimit me aleatët tanë të NATO-s, ne forcojmë angazhimin tonë kolektiv për paqe dhe siguri. Këto ushtrime përmirësojnë gatishmërinë ushtarake dhe i afrojnë komunitetet tona më shumë”, thotë Aggeler.
Nga ambasada amerikane të premtën në kumtesë theksuan se SHBA-ja dhe Maqedonia e Veriut vazhdojnë të forcojnë partneritetin e tyre në mbrojtje, arsim, sipërmarrje dhe shoqëri civile, duke mbështetur zhvillimin institucional dhe aftësitë e sigurisë së Maqedonisë së Veriut.
“Të dy vendet mbeten të përkushtuara për të zgjeruar bashkëpunimin në energji, mbrojtje, tregti dhe shkëmbim kulturor, duke siguruar prosperitet dhe siguri afatgjatë. “Përgjigje e shpejtë 2025” është një shembull i sigurimit të paqes përmes përforcimit të gatishmërisë dhe mbrojtjes kolektive të NATO-s, theksuan nga Ambasada amerikane.