Akif Emre, i cili ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e mendimit vendas në Turqi përmes veprimtarisë së tij në fushën e gazetarisë dhe botimeve, përkujtohet në përvjetorin e tetë të ndarjes nga kjo jetë. Me shkrimet e tij, ai hapi horizonte të reja për botën islame ndërsa sot kujtohet për mendimin e thellë që kishte ndaj të vërtetës dhe gjeografisë islame. Miqtë e tij e përshkruajnë si një njeri të përkushtuar ndaj së vërtetës.
I lindur më 2 mars 1957 në Kajseri, Akif Emre ishte fëmija i dytë nga tre të familjes Emre. Babai i tij, Latif Emre, punonte si punëtor në fabrikën e sheqerit në Kajseri. Ai kreu arsimin fillor dhe të mesëm në vendlindje, ndërsa studimet universitare i ndoqi në Stamboll, në atë kohë në Akademinë Shtetërore të Arkitekturës dhe Inxhinierisë, që sot njihet si Universiteti Yildiz Teknik i Stambollit, ku në vitin 1981 përfundoi studimet në degën e Inxhinierisë Mekanike.
Nga viti 1983, ai filloi të angazhohej në jetën kulturore dhe intelektuale të Turqisë, duke qenë për një kohë i ngarkuar me drejtimin e revistës “Mavera” dhe botimeve “Akabe” në Stamboll.
Pas kësaj, Emre shkoi në Pakistan për të ndjekur një program masteri. Aty ndoqi nga afër pushtimin sovjetik të Afganistanit dhe realizoi intervista me figura të rëndësishme të rezistencës afgane, si Burhanuddin Rabbani, Ahmed Shah Masud dhe Gulbeddin Hekmatjar.
Gjurmët në botën islame
Pasi përfitoi përvoja të rëndësishme në Pakistan, Emre u kthye në Turqi dhe në vitet 1986–1987 drejtoi projektin e “Enciklopedisë së Botës Islame”, që funksiononte brenda shtëpisë botuese “Seha”, ndërkaq edhe pse projekti përfundoi me sukses, për arsye të brendshme të shtëpisë botuese, enciklopedia nuk u publikua. Më pas ai ishte pjesë e redaksisë së revistës “İlim ve Sanat” të së njëjtës shtëpi botuese.
Në vitet 1988–1991, Akif Emre qëndroi në Angli, ku punoi si ligjërues në Tottenham College of Technology. Aty u lidh me figura të njohura të botës islame dhe ishte ndër themeluesit e Shoqatës së Shkrimtarëve Myslimanë (Association of Muslim Writers).
Përvoja e Emres në media
Pas kthimit në Turqi, Emre drejtoi për dy vite shtëpinë botuese “Insan Yayınları”. Nga viti 1993 deri në 1995 ai ishte administrator në Fondacionin për Shkencë dhe Art (Bilim ve Sanat Vakfı), ndërkaq pas kësaj përvoje, Akif Emre në fushën e gazetarisë, do të shfaqte me plotësisht përvojën e tij.
Ai u bë njëkohësisht pjesë e ekipit të themeluesve të gazetës Yeni Şafak dhe punoi në Departamentin e Lajmeve të Jashtme të Kanal 7. Në këtë televizion, ai realizoi dokumentarë për qytete që mbartnin gjurmë të qytetërimit islam, si: Selaniku, Shkupi, Plovdivi, Jerusalemi dhe Sarajeva.
Akif Emre mbetet një zë i pazëvendësueshëm në mendimin islam bashkëkohor dhe në jetën kulturore të Turqisë, i përkushtuar ndaj së vërtetës, mendimit të pavarur dhe unitetit shpirtëror të botës islame.
Akif Emre – Një zë i ndërgjegjes në gazetari dhe botëkuptimin islam
Ndër themeluesit e shtëpive botuese Küre dhe Klasik, Akif Emre ishte një ndër figurat kyçe që dha një kontribut të rëndësishëm në botimin dhe redaktimin e veprave të liderit historik të Bosnjës dhe mendimtarit islam të njohur, Alija Izetbegoviç.
Nga viti 2006 e deri në vitin 2016, për një dekadë të plotë, ai drejtoi si Kryeredaktor faqen e lajmeve Dünya Bülteni. Pas largimit nga kjo detyrë, në maj të vitit 2017, themeloi një platformë të re lajmesh me emrin Haberiyat. Por vetëm 15 ditë pas realizimit të këtij projekti, Akif Emre ndërroi jetë si pasojë e një infarkti në zyrën e redaksisë.
Gjatë karrierës së tij 30-vjeçare në shkrime dhe media, Emre kontribuoi në shumë libra dhe dokumentarë, duke udhëtuar dhe u preokupuar thellësisht me çështjet e botës islame.
“Gazetarinë e pa si një dëshmi, jo thjesht si profesion”
Gazetari Hamit Kardaş, i cili punoi për shumë vite me Emren, thekson se ai luftoi për të ndërtuar një gjuhë të re në media. “Për të, gazetaria nuk ishte thjesht informim, por një përpjekje për të kuptuar njeriun, shoqërinë dhe botën. Ai ruajti gjithmonë një qëndrim të pavarur dhe kritik, duke u bazuar në drejtësi dhe parimësi. Kritikat e tij nuk buronin nga dëshira për pozitë, por nga ndjekja e së vërtetës.” Sipas Kardaşit, Akif Emre e jetoi gazetarinë si një detyrim moral dhe një dëshmi përballë kohës: “Ai ngriti zërin për padrejtësitë dhe pushtimet në Bosnjë, Kuds, Turkistanin Lindor, Patani e Arakan, por kurrë nuk përdori gjuhë emocionuese apo nxitëse. Ai ofroi analiza të thella dhe i vendosi zhvillimet në kontekste historike e sociologjike, duke ndërtuar kështu edhe mendimin e lexuesit.
“Ai nuk bënte gazetari për ditën e sotme, por për të ndërtuar një të nesërme të drejtë. Gazetaria për të ishte dëshmi në anën e së vërtetës, në krah të të shtypurve dhe në kërkim të drejtësisë. Akif Emre nuk ishte thjesht një gazetar – ai ishte një mendimtar që i dëshmoi kohës së vet. Sot më shumë se kurrë ndjejmë mungesën e tij në media”, tha Kardaș.
“Udhëtoi si një sejjah bashkëkohor nëpër trojet islame”
Mehmet Bulayır, drejtori i revistës Sürgün dhe mik i Emres që nga vitet e universitetit, kujton përkushtimin e tij të thellë ndaj botës myslimane dhe komuniteteve të shtypura.
“Ai ishte një sejjah bashkëkohor që udhëtoi dhe shkroi mbi botën islame. Ishte gazetari i parë turk që realizoi një intervistë me Alija Izetbegoviqin. Interesimi i tij për Alijan, Bosnjën dhe Ballkanin nuk u shua asnjëherë”, theksoi Bulayır.
“Akif Emre ishte gjithmonë i kujdesshëm me gjuhën që përdorte – ai nuk lejonte një media që glorifikonte politika për shkak të simpatisë ose që bënte opozitë vetëm për të qenë kundër. Nuk përdorte një gjuhë fyese, nuk shkruante për të ushqyer përplasjet politike ditore. Madje kur diskutohej kjo temë, ai e shprehte hapur bezdinë e tij.”
Mehmet Bulayır, përmend një thënie që sipas tij mund të konsiderohet si një testament shpirtëror i Akif Emres: “Një njeri vlerësohet nga mënyra se si lidhet me pushtetin. Kujdesuni për veten!”, ndërsa Bulayır fjalët e tij për Emren i përfundon duke thënë: “Akif Emre e përfundoi jetën si një intelektual që gjithmonë qëndronte në këmbë. Ai ishte gjithmonë në kërkim të së drejtës dhe të vërtetës.”
Akif Emre mbetet një shembull i gazetarit që nuk u përkul para pushtetit, nuk ra pre e emocioneve të momentit dhe që ndërtoi me fjalën e tij një botë më të ndërgjegjshme, më të drejtë dhe më njerëzore.