Hamdi Nuhiju
Është muaji maj! Katër stinët e vitit duket sikur nuk do të largohen asnjëherë. Herë vishemi si në dimër, e herë si në verë. Kur katër stinët përzihen në një muaj, krahë-hapur presim virozët. Dhe në moment dëgjon alarmin-zgjimin për të ikur në punë.
Çdo ditë bënë ceremoninë e njëjtë. Fal namazin e sabahut, puth fëmijët dhe nënën dhe ikë në punë. Me idenë se do të kthehesh për t`u mbushur me energji pozitive. Me idenë se ka kush të pret dhe ke për kë je duke sakrifikuar gjithçka.
I lodhur kthehesh për të vazhduar jetën në vatrën e familjes dhe fillon të diskutosh për ditën, për jetën dhe problemet familjare. Kësaj here të puthin fëmijët dhe nëna të përshëndet ngrohtësisht.
Në debatet e mbrëmjes dëgjon për Amarin se si nuk kishte arritur t`i mbronte golat nga ekipi kundërshtar i shkollës dhe për Erzën e cila i ngatërronte çdo herë kundrinorin e drejtë me kundrinorin e zhdrejtë.
Amari është shok i Agonit, ndërsa Erza shoqe e Erës, dy fëmijë të kësaj vatre! Dy fëmijë shembuj në shkollë dhe shembuj në shtëpi. Agoni dhe Era përveç detyrave të shkollës, bëjnë edhe detyrat e shtëpisë, duke i ndihmuar nënës në punët e shtëpisë si dhe duke u kujdesur për gjyshen.
Një natë, gjyshja i tha: A po mi jepni barnat?
Agoni u përgjigj: Unë dua t`ia jap, jo Era. Babai u bë sy e veshë duke dëgjuar argumentimin dhe arsyetimin.
Vazhdon rrëfimin Agoni: Unë kënaqem kur gjyshja lutet. Më thotë u bëfsh djalë i mbarë, mjek, mjeshtër e t`u shtofshin të mirat e kësaj bote e botës tjetër.
Dhe lutja e gjyshes hap portat e qiellit dhe tokës!