Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të autoriteteve për të shembur shkollën e ndërtuar nga banorët shqiptarë në fshatin Nerovë në komunën e Krushevës.
Në një postim në rrjete sociale, Taravari ka shprehur solidaritetin me banorët dhe ka dënuar ashpër veprimin e institucioneve shtetërore për të shembur objektin me arsyetimin se është ndërtuar pa leje ndërtimi.
Ja reagimi i plotë:
“Në ditë të serialeve politike ai që harrohet është populli. Si parti jemi sa të prekur po aq edhe në krah të banorëve të fshatit Nerovë të Krushevës dhe të kauzës së tyre.
Në mungesë të një shkolle ata kanë ndërtuar vet objektin e saj.
Ky është një rast i rrallë që tregon se si banorët e një fshati të vogël shqiptar kanë bërë një vepër kaq fisnike.
Ajo që na ka shqetësuar është se autoritetet shtetërore kanë shkuar ta shembin me justifikimin se është pa leje…
Me dashamirësi i kërkojmë organeve kompetente mos ta shembin këtë shkollë! Ajo është ndërtuar nga prindërit për fëmijët e tyre!
Kush është më e drejtë?
Një kazino me leje apo një shkollë pa leje?!“, ka reaguar Taravari.
Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në opinion, ndërsa banorët janë të vendosur ta mbrojnë shkollën që e ngritën me mund dhe sakrificë, për të garantuar të ardhmen e fëmijëve të tyre në gjuhën shqipe. Ata kanë ndërtuar ate pasi që shkolla e vjetër përbën nuk ka kushte elementare dhe është rrezik për fëmijët. Banorët me vite kishin kërkuar ndërtimin e një shkolle të re, por kërkesa e tyre nuk ishte përfillur.(INA)