Gjykata Kushtetuese sot do të mbajë seancën e 10-të. Në rendin e ditës është paraparë të diskutohet për tetë lëndë për vlerësimin e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë dhe të merren vendime për katër lëndë.
Në rendin e ditës është iniciativa e paraqitur nga Qendra për Hulumtim dhe Informim për Mjedisin Jetësor “EKO VETËDIJA”, e përfaqësuar nga Ana Çollopoviq-Leshovska, me të cilën kontestohen disa nene nga Ligji për Mjedisin Jetësor.
Parashtruesi i iniciativës, siç thonë nga Gjykata, pretendon se me dispozitat e kontestuara është shkelur e drejta e qytetarëve për një mjedis të shëndetshëm, rregullimi dhe humanizmi i hapësirës dhe mbrojtja e mjedisit jetësor, të cilat kanë vlerë themelore në nenin 8 paragrafi 1 alineja 10 e Kushtetutës, si dhe liria e qasjes dhe marrjes së informacioneve, të rregulluara me nenin 16 të Kushtetutës. Sipas pretendimeve të iniciativës, kundërshtohet zbatimi i projekteve që mundë të kenë ndikim mbi mjedisin jetësor, pa u zhvilluar procedurë e duhur për vlerësimin e ndikimit të projektit në mjedisin jetësor dhe pa informim dhe përfshirje të publikut në marrjen e vendimeve për mjedisin jetësor.
Në rend dite, ndër pikat e tjera janë edhe iniciativat me të cilat kontestohen dispozitat nga Ligji për ujërat, nga Ligji për procedurat administrative dhe nga Ligji për tokën bujqësore.