Presidentja Siljanovska sot duhet të paraqesë propozimin për guvernatorin e ri të Bankës Popullore të RMV-së
Presidentja e vendit sot duhet t’i paraqesë Parlamentit propozimin për guvernator të ri të Bankës Popullore, i cili, sipas njoftimeve, do të vendoset nesër në seancë plenare. Mandati pesëvjeçar i guvernatores aktuale Anita Angelovska Bezhoska, e cila mori detyrën më 22 maj 2018, skadon më 21 maj, transmeton Portalb.mk.
“Ka disa kandidatë dhe gjëja më e rëndësishme të mos vijë deri aty sa të mos zgjidhet asnjë kandidat”, tha presidentja Gordana Siljanovska Davkova javën e kaluar, duke njoftuar se sot do të paraqesë propozim për kandidat që do të pasojë Angelovska-Bezhoskën.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se kandidatë me përvojë të jashtëzakonshme janë në garë për pozicionin e guvernatorit, për të cilët ai është i bindur se do të ruajnë stabilitetin makroekonomik.
Një nga kushtet për mbështetjen e kandidatit nga VMRO-DPMNE dhe Qeveria, sipas Mickoskit, është mbrojtja e rreptë e kursit fiks të këmbimit të denarit.
“Pres që Parlamenti të informohet të hënën. Ka një seancë më 20 maj. Gjithashtu bisedova me kryetarin e Parlamentit për plotësimin e rendit të ditës më 20 maj, në mënyrë që të respektohet afati”, tha sot Mickoski.
Funksionin e guvernatorit të bankës qendrore para Angelovska Bezhovskës e mbajtën Dimitar Bogov (2011-2018), Petar Goshev (2004-2011), Ljube Trpeski (1997-2004) dhe Borko Stanoevski (1986-1997).
Sipas informacioneve favoritë kryesorë në VMRO-DPMNE është Zoran Stavrevski, ndërsa menjëherë pas tij është Trajko Sllaveski. Por kandidat serioz është edhe guvernatorja aktuale Angellovska-Bezhovska. Por mund të befasojnë edhe favoritët “nën hije”, që janë ish zv.guvernatorja Maja Kadievska-Bojnoviq dhe profesori i ekonomisë Borçe Trenovski.