Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar ashpër ndaj asaj që e cilëson si “banditizëm elektoral” në Vorë dhe “zyrën ilegale të Rilindjes” në Tiranë, ku sipas tij janë kapur persona që blinin vota.
Ai akuzon institucionet, përfshirë SPAK, për mosreagim dhe thotë se krimet zgjedhore po ndodhin ndërsa “narkoshteti po jep shpirt”. Meta u bën thirrje numëruesve të mbrojnë çdo votë dhe deklaron se një ndëshkim i rëndë i pret “banditët rilindas”.
Edhe në oret e fundit që Narkoshteti po jep shpirt, po bën gjithçka për të prishur standartin e zgjedhjeve.
Banditizmi elektoral i qëllimshëm dhe për orë të tëra në Vorë dhe kriminaliteti elektoral te zyra ilegale e “Rilindjes” në Tiranë, ku horrat që blinin vota ja mbathën vrapit dhe që u zbulua falë “Task Force” të Syri TV, si dhe mosreagimi i SPAK dhe gjithë insitucioneve që bënin paradë përbetimi për të parandaluar krimet zgjedhore, janë pasqyra e fytyrës së vërtetë kriminale të Edi Ramës.
Por asgjë nuk e ndal dot fitoren dhe verdiktin e popullit dhe një ndëshkim shumë i rëndë i pret banditët “rilindas”, shkatërrues të demokracisë.
Dua të falenderoj me mirënjohje të gjithë qytetarët, në veçanti ata që votuan Ndryshimin pavarësisht nga presioni dhe përpjekjet për frikësim sistematik.
Në këtë fazë të procesit zgjedhor, i ftoj të gjithë numëruesit për të ruajtur qetësinë, vendosmërinë dhe për të mbrojtur çdo votë për të garantuar FITOREN e pastër të koalicionit “PD-ASHM”.