Eljesa Ismaili
“Të Zotit jemi dhe pa dyshim tek Ai do të kthehemi”
Një pikë në kujtim të nipit tim, Hoxhë Nexhmedinit…
I dashur vëlla!
Të përballem me mungesën tënde, të shkruaj këto rreshta… Aspak e lehtë. Me largimin tënd një boshllëk i madh, një humnerë është hapur brenda meje. Dhe çdo çast i yni më kalon para syve si një film. Fytyra jote e çelur, buzëqeshja jote, zëri yt, dora jote që herë pas here më prekte në sup, sikur ende janë këtu…
E kam të vështirë të gjej fjalë për të përshkruar lidhjen e palëkundur të vëllazërisë sonë që zgjati pothuajse një gjysmë shekulli. Nuk është e lehtë të rrëfesh fëmijërinë, rininë dhe të sotmen tonë. Shpeshherë më vijnë ndër mend rrugicat ku vraponim si fëmijë, përrallat e paharrueshme të babait tim të ndjerë, tryezat ku qeshnim së bashku, vitet kur mbështesnim njëri-tjetrin mes vuajtjesh. Në çdo takim tonin, gjithmonë për pak çaste zhyteshim në kujtimet e fëmijërisë apo rinisë dhe prej andej ktheheshim tek e sotmja. Buzëqeshja jote s’mungonte kurrë. Madje ndonjëherë qeshnim aq shumë sa na mbusheshin sytë me lot.
Kohën, kohërat që kanë kaluar… nuk i mas dot vetëm me kohë. Ndonjëherë nuk takoheshim dot për intervale të gjata, por sa herë takoheshim, e vazhdonim bisedën me të njëjtin pasion, aty ku e kishim lënë. Sa bukur recitoje vargje nga letërsia perse dhe i ndaje me ne. Gjatë gjithë kësaj kohe, flisnim për fëmijërinë tonë, rininë, gëzimet, dhimbjet, ëndrrat që i rritëm së bashku dhe barrët që i mbajtëm së bashku. Bashkudhëtarë zemre ishim.
Gjithmonë flisnim për vlerën e së kaluarës sonë, përpiqeshim të gjenim paqen e së tashmes dhe t’i jepnim kuptim shpresës për të ardhmen. Shpresë, më shumë shpresë I jepnim bisedës dhe, sado stinë të kalojnë, thelbi i vëllazërisë që ndërtove, që ndërtuam, nuk mund të ndryshojë. Lidhjet njerëzore që ndërtoje, dije si t’i thurrje me një besnikëri e dashuri që koha nuk e bjerr dot.
Të rritesh me miqësi të ndryshme, t’i kapërcesh vitet me to, të kesh gjithmonë pranë një mik të sinqertë në përpjetat dhe teposhtet e jetës – kjo ka qenë një nga dhuratat më të mëdha që na ke dhënë të gjithëve. Lidhja që krijoje në marrëdhëniet njerëzore ishte aq e thellë sa nuk përshkruhet dot me fjalë, nuk vihet në dyshim.
I dashur vëlla!
Ti u rrite jetim… Pastaj me zërin tënd të bukur lexoje suren Duha nga Kur’ani. Të lutesha ta lexoje. Fakti që u rrite jetim, gjithmonë më prekur e më ka lënë gjurmë të thella. Sikur e ndieja atë aromë, dhimbjen, brengën dhe vuajtjen tënde përbrenda. Megjithatë, gjithçka e reflektoje jashtë me mjeshtëri të madhe, me një energji pozitive, për të na mësuar se ç’do të thotë të kapesh pas jetës, të mbahesh fort përballë saj. Ajo që të rriti e të bëri të tillë, që u kujdes e u lut për ty, ishte e përkushtuara nënë Emineja,halla jonë, haxhie Emineja.
Një monument karakteri ishe. Pavarësisht vështirësive që të solli jeta, jetove me një karakter të fortë e me një vullnet të pathyeshëm, duke i ruajtur virtytet dhe vlerat e tua. Me këtë personalitet e frymëzoje rrethin tënd. Edhe kur përballeshe me pengesa të ndryshme e ndonjëherë kritika të padrejta, nuk rreshtje kurrë së priruri ndryshimeve pozitive në shoqëri. Nuk lodheshe, nuk dorëzoheshe, sepse ishe zemërzjarrtë, o vëlla!
Kishe karakter të fortë, brenda dhe jashtë, dhe këtë nuk e shfaqje vetëm me praninë fizike, por me vlerat e brendshme, virtytet dhe sjelljet e tua. Ajo forcë e madhe shpirtërore ishte pasqyrim i dashurisë së thellë që kishe për familjen, e sidomos për nënën tënde. Buronte nga këmbëngulja jote përballë vështirësive të jetës dhe respekti yt i madh për familjen.
Pavarësisht vështirësive të mëdha të jetës, ndriçoje rreth nesh duke rrezatuar mirësi, mëshirë, durim dhe mirëkuptim. Ishe njeri me shumë dimensione. Bujarinë dhe zemërgjerësinë nuk t’i vinte njeri në dyshim.
Bisedat tona nuk kishin të mbatuar. Ndonjëherë nxeheshin, por gjithmonë vazhdonin po në të njëjtën kohë, në të njëjtën frymëmarrje. Gëzohem pa masë që as edhe një orë të jetës sonë nuk e kaluam të zemëruar me njëri-tjetrin. Sepse ti e doje risinë, këndvështrimet e ndryshme, larminë, dhe bëje që edhe të tjerët t’i donin. Dije si t’i përballoje çështjet e ndërlikuara. Me fushat e tua të gjera të interesit ofroje larmi. Me komunikimin tënd të efektshëm, krijoje marrëdhënie të jashtëzakonshme me njerëzit.
Dhe këtë kujtim tani po përpiqem ta jetoj vetëm me një pikë dhimbje, një pikë trishtim, një pikë… një pikë… një pikë kujtime, një pikë dallgë deti, një pikë thellësi oqeani, me një pikë gjerësi të pafundme dhe fuqi oqeani përpiqem ta përjetoj kompleksitetin jetës, si dhe lirinë e një pike oqeani në këto kohëra.
Para dy javësh u takuam për herë të fundit së bashku me vëllaun tënd Nuredinin. Biseduam gjatë dhe pastaj ma dërgove fotografinë tonë në mesazh…
15.04.2025
Daja jonë sikur Abdulhamidi i kohës moderne!
Faleminderit dajoo.
S’ka, veç ky ka mbet me mbajt fronin! Mbret në mesin e sofës, me qetësinë e një strategu dhe buzëqeshjen e një fitimtari.
Hahaha, Fjala e mirë si kjo të ngroh ma shumë se çaji i sabahut!
E po, kur ka muhabet të mirë dhe respekt, fjalët rrjedhin vetë…
Me qetësinë e një strategu dhe buzëqeshjen e një fitimtari – s’ka si me përshkru ma bukur dajën që veç ulët e rrezaton stil e peshë!
I madhi Zot të mori prej nesh. Shumë u pikëlluam, u dërrmuam. I madhi Zoti të mbështjelltë me mëshirën e Tij e ta lartësoftë shpirtin, o i bukur njeri! Të gjithë të kujtojnë me mall. Një ditë edhe ne do të vijmë tek ti.