Përderisa qytetarët përballen çdo ditë me çmime të larta të produkteve ushqimore, pagat e të cilëve nuk mjaftojnë për t’i përballuar këto çmime, pushteti dhe opozita garojnë se kush është më shumë e kush më pak fajtor për rritjen e çmimeve të produkteve elementare. Nga LSDM sot kanë akuzuar VMRO DPMNE-në se janë fajtori kryesor për rritjen enorme të çmimeve të produkteve ushqimore dhe jo ushqimore. Lolita Ristova nga LSDM thotë se qytetarët po përballen me tronditje të reja çmimesh në tregje dhe se çmimet janë rritur përsëri pas skadimit të masës së marzhës së ngrirë. Ajo theksoi se ky është rezultat i politikave ekonomike vazhdimisht të gabuara të qeverisë.
LOLITA RISTOVA, LSDM
“Ushqimet dhe produktet që nuk ishin të kapshme nga qytetarët edhe me marzha të ngrira, janë edhe më të shtrenjta sot. Vaji i gatimit është rritur nga 89 në 92 denarë, qumështi është mbi 72 denarë si dhe çmimet e vezëve, mishit, djathit dhe lëngjeve githashtu janë rritur. Produktet e higjienës janë bërë më të shtrenjta deri në 60 përqind. Qytetarët kanë gjithnjë e më pak para në xhepat e tyre. Jeta në Maqedoni po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë.”
Akuzave të LSDM-së i është përgjigjur VMRO DPMNE-ja. Ata thonë se LSDM-ja ishte ajo që bëri gjithçka për të rritur çmimet e produkteve, që shkatërroi standardin e jetesës së qytetarëve dhe e plaçkiti popullin, ndërkaq siç thonë ata, tani po shtiret hipokritisht se është e shqetësuar.
VMRO DPMNE
“Meqenëse LSDM tashmë po i liston produktet dhe çmimet e tyre, do të ishte mirë ti listonte ato dhe të llogariste se sa janë rritur çmimet e produkteve për të cilat ato e kanë rritur TVSH-në. LSDM mund ta ketë harruar, por LSDM është ajo që gjatë qeverisjes së saj e rriti TVSH-në nga 5 në 10% për rreth 1,500 produkte ushqimore dhe pasi rriti çmimin e 1,500 produkteve tani po kërkon me hipokrizi heqjen e saj për rreth 200 produkte, gjë që nuk do të ketë asnjë efekt në çmime”.
Nga LSDM kërkojnë që qeveria të braktisë menjëherë politikat e dëmshme ekonomike dhe të pranojë propozimet e LSDM-së që sipas tyre do të nënkuptojnë një ulje reale të çmimeve dhe një rritje të pagave.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/