Koalicioni i ri qeverisës në Gjermani, i drejtuar nga konservatorët, e nis punën të martën nën udhëheqjen e kancelarit të ri Friedrich Merz, rreth tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit.
Koalicioni – i përbërë nga kristiandemokratët e Merzit (CDU), unikoni socialkristian i Bavarisë (CSU) dhe Partia Socialdemokrate e qendrës së majtë (SPD) – është gati ta qeverisë Gjermaninë për katër vjetët e ardhshme.
Këto tri parti e përpiluan një program qeverisës në marrëveshjen e koalicionit në prill, duke premtuar se do ta ringjallin ekonominë e dobësuar, do t’i ashpërsojnë rregullat e emigracionit dhe se do t’i shkurtojnë shpenzimet shtetërore.
Kritikët kanë argumentuar se dokumenti prej 144 faqeve ka mungesë të zotimeve konkrete, dhe se, edhe ato premtime që janë përfshirë, janë të kufizuara nga ajo që është quajtur “kusht financiar”.
Megjithatë, Merz pritet të ketë më shumë fleksibilitet buxhetor se paraardhësi i tij Olaf Scholz, pasi partitë e kaluan me shpejtësi një paketë historike në Parlament, duke ndryshuar rregullat kushtetuese për ta lejuar rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe duke e miratuar një fond prej 500 miliardë eurosh për infrastrukturë dhe masa për mbrojtjen e klimës.
Pra, për çfarë arritjesh janë zotuar partnerët në koalicion?
Forcimi ekonomisë
Detyra kryesore e Qeverisë së re do të jetë ta rindezë motorin ekonomik të Gjermanisë, pasi ekonomia e vendit ka ngecur për dy vjet radhazi pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Për të nxitur investime, koalicioni do t’i lejojë kompanitë t’i përjashtojnë nga tatimi 30 për qind të investimeve të tyre për tri vjetët e ardhshme, ndërsa taksa mbi të ardhurat e korporatave do të ulet dalëngadalë nga viti 2028.
Partnerët gjithashtu duan ta zvogëlojnë burokracinë, duke e hequr Ligjin gjerman për Zinxhirin e Furnizimit që hyri në fuqi në vitin 2023 dhe që mbikëqyr të drejtat e njeriut dhe rreziqet mjedisore përgjatë zinxhirit të furnizimit të një produkti.
Në vend të kësaj, kompanitë gjermane do t’i nënshtrohen Direktivës së BE-së për Zinxhirin e Furnizimit, duke shmangur dokumentacione shtesë.
Koalicioni synon gjithashtu t’i luftojë kostot e larta të energjisë dhe të vendosë çmim tavan për industritë që shpenzojnë shumë rrymë.
Frenimi i emigracionit
Tema më e diskutueshme gjatë fushatës zgjedhore në Gjermani ishte frenimi i emigracionit, pas disa sulmeve për të cilat u fajësuan refugjatët.
Koalicioni është zotuar se do ta ruajë kontrollin e kufijve dhe se do t’i kthejë mbrapsht në kufi emigrantët e paligjshëm, edhe nëse ata kërkojnë azil. Por, vendimi do të merret “në koordinim me fqinjët tanë evropianë”.
Nuk do të miratohet asnjë program i ri për risistemim vullnetar të refugjatëve, ndërsa refugjatët me status të kufizuar mbrojtjeje nuk do të lejohen të sjellin anëtarët e familjes në Gjermani për një periudhë fillestare prej dy vjetësh.
Qeveria e re planifikon gjithashtu t’i ndryshojë rregullat për shtetësinë, duke hequr rrugën për marrjen e nënshtetësisë pas vetëm tri vjetësh qëndrimi për emigrantët e integruar mirë në veçanti.
Megjithatë, do të ruhet ulja e kërkesës standarde të qëndrimit për shtetësi nga tetë në pesë vjet, si dhe mundësia e shtetësisë së dyfishtë për banorët nga vende që nuk janë anëtare të BE-së.
Mbrojtja, siguria dhe politika e jashtme
Administrata e Merzit do të përballet me një botë që po pëson ndryshime, pasi Evropa po lëkundet nga rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
Marrëveshja e koalicionit rithekson angazhimin e partive ndaj Bashkimit Evropian, NATO-s dhe partneritetit ekonomik transatlantik me SHBA-në, pavarësisht politikave agresive tregtare të Trumpit.
Në lidhje me mbrojtjens, administrata e re synon ta krijojë një program për shërbim ushtarak vullnetar sipas modelit suedez, pothuajse 15 vjet pasi vendi pezulloi rekrutimin.
Gjithashtu, do të krijohet një Këshill i Sigurisë Kombëtare, që do të mbledhë të dhëna dhe do të mundësojë vendimmarrje më të shpejtë për krizat kombëtare dhe ndërkombëtare.
Buxheti dhe shpenzimet sociale
Koalicioni dëshiron të kursejë në shpenzimet qeveritare duke bërë shkurtime të mëdha në buxhetin federal.
Në administratën civile, do të shkurtohen 8 për qind e vendeve të punës për katër vjet – me përjashtim për forcat e sigurisë.
Numri i komisionarëve federalë – ekspertë të pavarur që këshillojnë qeverinë – do të përgjysmohet, ndërsa do të kursehen gjithsej 1 miliard euro në programet e zhvillimit dhe kontributet për organizatat ndërkombëtare.
Reforma e mëparshme e përfitimeve të papunësisë, e njohur si “të ardhura qytetare”, do të riemërtohet në “siguri bazë për punëkërkuesit” dhe do të ashpërsohet.
Në raste ekstreme, do të jetë e mundur “heqja e plotë e përfitimeve” nëse një person refuzon vazhdimisht vende të arsyeshme pune.
Koalicioni gjithashtu mund të reformojë rregulloren për 8-orëshin e punës ditore, duke e zëvendësuar atë me një kuadër javor për orarin e punës.
Në një fitore për Socialdemokratët, marrëveshja përfshin angazhimin për një pagë minimale prej 15 eurosh në orë.
Taksat dhe subvencionet
Palët kishin dallime të mëdha rreth taksave gjatë fushatës – blloku konservator CDU/CSU premtoi ulje të taksave, ndërsa SPD-ja kërkonte t’i rriste ato për ata me të ardhura të larta.
Marrëveshja është një kompromis: synohet ulje e tatimit brenda dy vjetësh për ata me të hyra të mesme dhe të ulëta.
Shtesa kontroverse 5.5 për qind për “solidaritetin”, e përdorur për të financuar kostot e bashkimit gjerman, do të mbetet në fuqi për qytetarët dhe kompanitë me të ardhura të larta, ndërsa subvencionet për udhëtarët do të zgjerohen.
Kur jemi të transporti, bileta “Deutschlandticket” – që ofron qasje të pakufizuar në transportin publik rajonal për një çmim mujor prej 58 eurosh – do të mbetet në fuqi edhe pas 2025-ës, por përdoruesit duhet të përgatiten për rritje çmimesh nga viti 2029.
Premtime të tjera përfshijnë: e drejta ligjore për pushim të lindjes për gratë e vetëpunësuara, dhe një zgjerim të “pensionit të nënave”, i cili kompenson prindërit për vitet e kaluara duke i rritur fëmijët. Niveli standard i pensionit do të caktohet në 48 për qind të të hyrave mesatare deri në vitin 2031.
Pagesat me para të gatshme, kanabisi dhe koronavirusi
Dokumenti përmban gjithashtu zotime të mëtejshme në fusha të ndryshme, nga pagesat me para të gatshme e deri te politika për kanabisin.
Shumë vizitorë në Gjermani habiten nga përdorimi i përhapur i parasë së gatshme në dyqanet e vogla.
Sipas marrëveshjes, koalicioni synon që të ofrohet të paktën një opsion pagese digjitale për konsumatorët.
Ndërkohë, legalizimi i pjesshëm i kanabisit për të rriturit nga Qeveria e mëparshme do të rishikohet, dhe do të krijohet një komision zyrtar për të hetuar masat e rrepta të marra gjatë pandemisë së koronavirusit./REL